Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik të 16 nëntorit në aksin rrugor Fier–Vlorë, pranë Novoselës, ku humbi jetën Shefi i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Ermal Lulaj, vijojnë me intensitet.
Në kuadër të hetimeve, drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë, tip skrep, i përfshirë në aksident, është lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ndërkohë, për të përcaktuar me saktësi shkencore shkaqet dhe dinamikën e përplasjes fatale mes automjetit tip “Toyota”, që drejtohej nga oficeri i policisë, dhe mjetit të rëndë, Prokuroria ka vendosur kryerjen e një akt-ekspertimi të specializuar autoteknik.
Kjo detyrë u është besuar dy ekspertëve autoteknikë, inxhinierëve Artur Sulçe dhe Fisnik Ziçishti.
Dy specialistët do të analizojnë në detaje gjurmët e frenimit, pozicionet e mjeteve pas përplasjes, kushtet e rrugës, si dhe parametrat teknikë e dinamikën e lëvizjes së automjeteve në momentin e aksidentit.
Përfundimet e ekspertimit pritet të jenë vendimtare për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit, evidentimin e shkeljeve të mundshme të rregullave të qarkullimit rrugor dhe sqarimin e përgjegjësisë ligjore për ngjarjen që i mori jetën oficerit Ermal Lulaj, i cili kishte rreth dy dekada karrierë në Policinë e Shtetit.
