Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste, duke iu referuar gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së për Tiranën si “dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”.
Duke folur për zhvillimet e fundit brenda partisë, Rama u shpreh se avokati Plarent Ndreca iu është drejtuar me shkresë Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtues politik.
Por, kryeministri theksoi se ky i fundit është tashmë një nga dy personat e përjashtuar nga PS-ja.
“Avokati i Veliajt i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, deklaroi Rama.
Në mbledhjen e së shtunës së kaluar, kryeministri propozoi largimin e Spiropalit dhe Ndrecës nga Partia Socialiste, por Asambleja nuk votoi për përjashtimin e tyre. Mbledhja në Gjirin e Lalzit u shoqërua edhe me replika mes Ramës dhe ish-kryetares së Kuvendit. Në mbështetje të Spiropalit dolën Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, të cilët kundërshtuan përjashtimin e saj nga forumet drejtuese të partisë.
