Kryeministri Edi Rama ka përdorur shkarkimin e drejtoreshës së Policisë Bashkiake të Tiranës, Elona Lala, për të sulmuar kryebashkiakun Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste në kryeqytet.
Rama ka akuzuar Veliajn për largime arbitrare nga administrata bashkiake, duke pretenduar se Elona Lala dhe punonjës të tjerë janë penalizuar për shkak se nuk kanë mbështetur me pëlqime dhe shpërndarje postimet e kryebashkiakut në rrjetet sociale.
“Po si mund te largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit kryebashkiak të Kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë drejtues dhe punonjës në bashkinë e Tiranës, pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të lalit, nga burgu imagjinar politik. Apo, pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik. Ndërkoh që është thjesht një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe ndaj kësaj familje si e “ëma e Zeqos në majë të thanës”.
Përmes kësaj deklarate, Rama ka vënë në shënjestër jo vetëm Veliajn, por edhe avokatin e tij, Plarent Ndreca, të cilin e akuzon se po ndërhyn në funksionimin e Bashkisë së Tiranës.
Sipas kryeministrit, Ndreca i është drejtuar institucionit me shkresa të firmosura si drejtues politik, ndonëse ai është një prej dy personave të përjashtuar së fundmi nga Partia Socialiste.
Rama paralajmëroi se nuk do të tolerohen më ndërhyrje të tilla në administratën bashkiake, duke e kthyer çështjen e shkarkimit të Elona Lalës në një tjetër përplasje publike me kryebashkiakun Veliaj.
