Rruga në Ungrej, për të cilën janë shpenzuar 2.4 milionë euro, ka nisur të shfaqë dëmtime serioze në asfalt, vetëm tre vite pas përfundimit të punimeve. Problematika është denoncuar nga Gjin Gjoni, i cili ngre pikëpyetje mbi cilësinë e investimit dhe mënyrën se si janë përdorur paratë publike.
Sipas denoncimit të tij, rruga, e prezantuar si një investim i rëndësishëm për zonën, tashmë po shfaq shenja dëmtimi, me çarje në asfalt, pavarësisht se nuk kanë kaluar as tre vite nga ndërtimi i saj.
Gjin Gjoni e lidh këtë situatë me problematika të ngjashme të evidentuara edhe në investime të tjera të Bashkisë Lezhë dhe të qeverisë, ku, sipas tij, projektet shoqërohen me prezantime dhe propagandë, ndërsa cilësia e punimeve mbetet e diskutueshme.
Në reagimin e tij, Gjoni ngre shqetësimin për miliona euro të shpenzuara nga taksat e qytetarëve, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet që kanë administruar dhe mbikëqyrur projektin.
Pyetja që shtrohet është se si një investim me vlerë 2.4 milionë euro mund të shfaqë dëmtime të tilla në një periudhë kaq të shkurtër dhe nëse do të ketë verifikime për cilësinë e punimeve.
Kush e ka mbikëqyrur ndërtimin e rrugës në Ungrej? A janë respektuar standardet teknike dhe kush do të mbajë përgjegjësi për dëmtimet? Përgjigjet kërkohen nga institucionet përgjegjëse, bashkë me transparencën për çdo lek të shpenzuar nga buxheti publik.

