Një kallëzim penal, i shoqëruar edhe me dokumentacion të ardhur nga Drejtoria e Tatimeve, është depozituar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj familjarëve të Elisa Spiropalit, ish-kryetares së Kuvendit, e cila së fundmi u përjashtua nga forumet e Partisë Socialiste.
Burime pranë SPAK bëjnë me dije se në qendër të kallëzimit është Salarjon Totaj, bashkëshorti i Spiropalit, si dhe familjarë të tij. Pretendimet lidhen me aktivitetin e bizneseve që zotërohen prej tyre.
Kallëzimi mësohet se ka kaluar filtrin paraprak të verifikimit, ndërsa është regjistruar një procedim penal për veprat e dyshuara penale. Deri më tani, SPAK nuk ka dhënë një koment zyrtar lidhur me çështjen dhe as nëse hetimet përfshijnë ndonjë rol të mundshëm të vetë Elisa Spiropalit.
Ndërkohë, prej rreth dy muajsh, disa efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale janë planizuar me shërbim pranë zonës së Kodrës së Diellit në Tiranë. Sipas burimeve jozyrtare, objekt i vëzhgimit të tyre dyshohet se kanë qenë Elisa Spiropali dhe familjarët e saj. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga organet ligjzbatuese.
