Kjo është deputetja e Partisë Socialiste, Etleva Budini, emri i së cilës është përfshirë në hetimet për vjedhjen e mbi 700 mijë eurove në filialin e Postës Shqiptare në Durrës.
Budini ka drejtuar këtë filial deri në mars të vitit 2025, përpara se të merrte mandatin e deputetes. Sipas verifikimeve paraprake të Prokurorisë së Durrësit, dyshohet se abuzimet me fondet e pensionistëve mund të jenë shtrirë edhe gjatë periudhës kur ajo ishte në drejtimin e institucionit.
Hetimet kanë ngritur dyshime për një skemë të organizuar, ku krahas punonjësve të Postës Shqiptare mund të jenë përfshirë edhe persona jashtë institucionit, me lidhje të mundshme me një grup kriminal në zonën e Sukthit.
Për këtë çështje, Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën lëndore dhe ka vendosur t’ia kalojë dosjen SPAK-ut, me argumentin se nga hetimet kanë dalë dyshime për veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve janë arrestuar ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, dhe arkëtarja Paola Dana. SPAK pritet të vijojë hetimet për të zbardhur mënyrën se si janë përvetësuar paratë dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
