Kur të gjithë prisnin që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të thërriste ish-kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, për të dëshmuar lidhur me pretendimet e saj se ishte kërcënuar nga njerëz të afërt me Belinda Ballukun, SPAK ka ndërmarrë një lëvizje të papritur.
Në vend që të bëhej publik ndonjë hap konkret për verifikimin e pretendimeve të Spiropalit, SPAK ka nisur hetimet ndaj saj.
Sipas burimeve të raportuara pranë organit të akuzës, pjesë e këtij hetimi janë edhe bashkëshorti i saj dhe familjarë të tjerë.
Interesant është fakti se, ashtu si në rastin e Erion Veliajt, edhe për Spiropalin hetimet dyshohet se kanë nisur pas një kallëzimi anonim, që lidhet me pretendime për fshehje dhe mosdeklarim pasurie, pastrim të produkteve të veprës penale, shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Por, përtej natyrës së dyshimeve që po verifikohen nga SPAK, ajo që tërheq vëmendjen në këtë rast është momenti kur janë ndërmarrë këto veprime.
Kallëzimi, sipas informacioneve të publikuara, është bërë në fund të muajit tetor, ndërsa vendimi për nisjen e hetimeve është marrë pikërisht një ditë pasi Spiropali doli publikisht me kritika për zhvillimet brenda Partisë Socialiste, duke e cilësuar Belinda Ballukun si modelin më të keq të qeverisjes së Edi Ramës.
Deri më tani nuk ka prova publike që të dëshmojnë se nisja e hetimeve ndaj Spiropalit ka lidhje me përplasjet e saj politike brenda PS-së. Megjithatë, përkimi kohor mes këtyre zhvillimeve ngre pikëpyetje që meritojnë sqarim.
A kemi të bëjmë thjesht me një procedurë të zakonshme hetimore, apo koha e publikimit të këtij lajmi po përdoret për të përcjellë një mesazh kërcënues brenda mazhorancës?
Pikërisht kjo është çështja që kërkon përgjigje. Në një kohë kur përplasjet brenda Partisë Socialiste po bëhen gjithnjë e më të dukshme, çdo veprim i institucioneve të drejtësisë që përkon me zhvillime të tilla politike rrezikon të interpretohet si pjesë e luftës së brendshme për pushtet.
Mesazhi që duket se kërkohet te përcillet nga këto zhvillime është se asnjë individ në PS, pavarësisht pozicionit apo pushtetit që ka, nuk është i paprekshëm kur del kundër vijës së kryeministrit.
Për të shmangur çdo dyshim mbi përdorimin politik të drejtësisë, SPAK duhet të garantojë transparencë dhe të tregojë se hetimet zhvillohen mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore, pavarësisht përkatësisë apo qëndrimeve politike të personave që janë objekt i tyre.
