Inspektimet ndaj bizneseve dhe subjekteve do të duhet të zhvillohen vetëm brenda rregullave dhe procedurave të përcaktuara me ligj. Ky është mesazhi i qartë i Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama, ministren e linjës Delina Ibrahimaj, Inspektoratin e Përgjithshëm dhe inspektoratet qendrore.
Në fokus të diskutimeve ishte një qasje e re ndaj procesit të inspektimit, me synim që kontrollet të mos kthehen në barrë apo në burim presioni për bizneset dhe qytetarët, por të kryhen në mënyrë transparente, të parashikueshme dhe në respekt të plotë të ligjit.
Sula ishte i prerë në qëndrimin e tij: Inspektorati i Përgjithshëm nuk do të tolerojë kontrolle të kryera në mënyrë të parregullt.
“Inspektorati i Përgjithshëm nuk do të tolerojë asnjë inspektim që bëhet pa paralajmërim dhe jashtë programit të inspektimit. Nuk do të lejojmë asnjë shkelje ligjore”, deklaroi ai.
Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm e zhvendosi mesazhin edhe te qytetarët, duke i bërë thirrje që të mos heshtin në rastet kur përballen me sjellje abuzive apo kontrolle që nuk respektojnë procedurat.
Çdo rast i pretenduar si abuziv mund të denoncohet pranë Inspektoratit të Përgjithshëm përmes mekanizmave të ankimit, ku më pas rasti mund të verifikohet dhe, nëse konstatohen shkelje, të merren masat përkatëse.
Mesazhi i Sulës synon të vendosë një standard më të qartë në marrëdhënien mes administratës dhe biznesit: kontrolli duhet të jetë i ligjshëm, i programuar dhe transparent, ndërsa çdo abuzim nga strukturat inspektuese duhet të denoncohet dhe të verifikohet.
Në këtë kuadër, Inspektorati i Përgjithshëm synon standardizimin e mëtejshëm të praktikave të inspektimit dhe forcimin e kontrollit mbi mënyrën se si trupat inspektuese ushtrojnë kompetencat e tyre.
