Oliger Torba dhe Ervin Hodaj tashmë nuk janë më thjesht drejtues të komanduar. Dy emrat që prej disa kohësh kanë qenë në krye të Policisë së Tiranës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës janë konfirmuar zyrtarisht në postet që mbajnë.
Torba dhe Hodaj u vendosën fillimisht në këto dy drejtori me komandim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Periudha e komandimit shërbeu edhe si një fazë vlerësimi për mënyrën se si ata do të menaxhonin dy prej strukturave më të rëndësishme të Policisë së Shtetit.
Pas kësaj periudhe, drejtimi i tyre është tashmë i konfirmuar. Oliger Torba vijon në krye të Policisë së Tiranës, ndërsa Ervin Hodaj merr konfirmimin për të vijuar drejtimin e Policisë së Durrësit.
Konfirmimi i dy drejtuesve merr rëndësi edhe për faktin se bëhet fjalë për dy qarqe me peshë të veçantë në aktivitetin policor. Tirana përfaqëson strukturën më të madhe dhe një nga zonat me ngarkesën më të lartë operacionale, ndërsa Durrësi mbetet një pikë strategjike për sigurinë, trafikun dhe aktivitetin kriminal.
Me këtë lëvizje, Hita duket se po konsolidon skuadrën drejtuese në terren, duke u dhënë mandat të qartë dy drejtuesve që më herët i kishte vendosur në detyrë përmes komandimit. Torba dhe Hodaj tashmë përballen me përgjegjësinë për të justifikuar besimin e dhënë dhe për të vijuar punën në dy prej drejtorive më të rëndësishme vendore të vendit.
