Autoritetet greke kanë vënë në lëvizje një operacion kërkimi për Alket Rizain, pasi ai nuk është paraqitur në burgun e Domokos në përfundim të lejes së dhënë nga institucionet penitenciare.
Sipas raportimeve të mediave greke, Rizai duhej të ishte kthyer në qeli në orën 08:00 të së hënës, më 14 shtator. Por afati përfundoi pa u paraqitur në institucionin e vuajtjes së dënimit.Pas konstatimit të mungesës së tij, policia ka nisur kontrollet për gjetjen e tij. Deri tani, kërkimet nuk kanë sjellë rezultat.
Dyshimet për kalim drejt Shqipërisë
Një nga pistat që po shqyrtohet nga autoritetet greke është mundësia që Rizai të jetë larguar në drejtim të Shqipërisë.
Sipas informacioneve të raportuara në Greqi, gjurma e fundit e tij është evidentuar në pjesën veriore të vendit. Kjo ka ngritur dyshimin se ai mund të ketë tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka konfirmim zyrtar se Rizai ndodhet në Shqipëri apo se ka kaluar kufirin. Bëhet fjalë për një nga pistat që po hetohen nga autoritetet.
