Dy protesta të zhvilluara në Tiranë brenda dy javësh kanë prodhuar një bilanc të pazakontë në raportin mes Policisë dhe drejtësisë.
Në total, 26 protestues janë arrestuar në flagrancë dhe Gjykata e Tiranës ka konstatuar paligjshmërinë e arrestimeve në të dyja rastet.
Më 1 shtator, pas protestës pranë Kryeministrisë, Policia arrestoi 14 persona. Ndaj tyre u ngritën dyshime për disa vepra penale, mes tyre organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme, kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik, prishja e qetësisë publike dhe pengimi i qarkullimit. Pas rreth 72 orësh në ambientet e sigurisë, Gjykata e Tiranës e cilësoi të paligjshëm arrestimin në flagrancë dhe urdhëroi lirimin e tyre.
Vetëm 10 ditë më vonë, më 14 shtator, skenari u përsërit.
Policia arrestoi 12 persona pas protestës në Tiranë, ndërsa 15 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ndaj të arrestuarve u ngritën dyshime për disa vepra penale, përfshirë organizimin dhe pjesëmarrjen në tubime të paligjshme, kundërshtimin e punonjësit të Policisë, mosbindjen ndaj urdhrit të Policisë, prishjen e qetësisë publike dhe shtytjen e të miturve në krim.
Më 17 shtator, edhe për këta 12 persona, Gjykata e Tiranës vendosi se arrestimet ishin të paligjshme dhe nuk caktoi masë sigurie ndaj tyre.
Kështu, në harkun e dy javëve, 26 arrestime të kryera nga Policia u rrëzuan nga gjykata në fazën e kontrollit gjyqësor të ligjshmërisë së ndalimit.
Ky bilanc prek drejtpërdrejt mënyrën se si funksionon struktura e Rendit Publik në Tiranë.
Në këtë zinxhir institucional përfshihet edhe Drejtoria e Rendit Publik, e drejtuar nga Dhimitraq Ziu, strukturë e cila ka rol në organizimin dhe drejtimin e shërbimeve të rendit publik dhe menaxhimin policor të tubimeve.
Nga pikëpamja ligjore, arrestimi në flagrancë nuk është një veprim automatik. Ai duhet të mbështetet në kushtet e parashikuara nga ligji dhe t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor. Në rastet konkrete, ky kontroll ka përfunduar me konstatimin e paligjshmërisë së arrestimit.
Kjo do të thotë se pretendimet e Policisë dhe materialet e referuara në organin e akuzës nuk mjaftuan që gjykata të mbante në fuqi arrestimet e 26 personave.
Ky është tashmë një fakt i dokumentuar nga gjykata dhe një bilanc që vendos nën vëzhgim mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga strukturat e Rendit Publik, në një kohë kur drejtimi i kësaj strukture është në duart e Dhimitraq Ziut.
