Ritvan Pali rikthehet në strukturat e Policisë së Shtetit me një tjetër përgjegjësi të rëndësishme, duke marrë drejtimin e Operacionales në Lezhë.
Me një eksperiencë të gjatë në strukturat e policisë dhe me drejtimin e mëparshëm të Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Pali ka qenë një nga emrat e njohur të uniformës blu, duke mbajtur detyra me përgjegjësi në terren dhe në strukturat e rendit.
Rruga e tij në polici nuk ka qenë pa përballje. Pas një vendimmarrjeje që solli uljen e gradës dhe transferimin e tij në Kukës, Pali vendosi të largohej me dëshirë nga Policia e Shtetit dhe të ndiqte rrugën ligjore për të kundërshtuar vendimin. Procesi gjyqësor përfundoi në favor të tij.
Sot, rikthimi në një pozicion drejtues tregon se eksperienca dhe profesionalizmi i tij vijojnë të kenë peshë në strukturat e Policisë së Shtetit.
Në Lezhë, Pali rikthehet në terren me një detyrë të rëndësishme: drejtimin e strukturës Operacionale, një prej njësive që kërkon reagim të shpejtë, koordinim dhe eksperiencë në përballjen me problematikat kriminale.
Një rikthim që vjen pas një beteje të gjatë dhe që shënon një kapitull të ri në karrierën e Ritvan Palit.
