Partia Demokratike i ka kërkuar institucioneve të drejtësisë dhe organeve përgjegjëse për kontrollin e pasurive që të verifikojnë deklarimet pasurore të Mirela Kumbaros, ish-ministres së Kulturës dhe aktualisht ministre e Arsimit.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së për antikorrupsionin, Genta Vangjeli, tha se nga shqyrtimi i deklaratave të pasurisë së Kumbaros dhe familjes së saj rezultojnë disa prona, përfshirë apartamente dhe garazhe, për të cilat opozita kërkon verifikim të mëtejshëm.
Sipas PD-së, në deklarimet periodike figurojnë shtatë apartamente, me sipërfaqe që variojnë nga 55 deri në 128 metra katrorë. Një prej pronave, me sipërfaqe 92 metra katrorë, është deklaruar në vitin 2024 me vlerë 200 mijë euro. Vangjeli pretendon se kjo pronë rezulton ende e paregjistruar.
Në listën e pasurive të përmendura nga PD-ja përfshihen edhe apartamente të tjera, mes tyre një pronë prej 119.16 metrash katrorë në bashkëpronësi me bashkëshortin, një apartament 128 metra katrorë në Tiranë, si dhe një apartament 55 metra katrorë, i deklaruar si dhuratë për bashkëshortin.
PD ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e deklarimit të disa pronave. Sipas Vangjelit, në deklarata të viteve të ndryshme ka mospërputhje në dokumentacion dhe në të dhënat e pasurive.
Një nga rastet e përmendura lidhet me një garazh prej 18 metrash katrorë. Sipas deklarimeve të cituara nga opozita, Kumbaro e ka deklaruar këtë pronë në vitin 2021 me vlerë 12,800 euro, ndërsa në deklarimin e bashkëshortit në vitin 2025 shfaqet një garazh me të njëjtën sipërfaqe, por me vlerë 2 mijë euro.
Në deklaratën e saj, PD i referohet edhe marrëdhënieve financiare të bashkëshortit të Kumbaros me fondacionin AADF. Sipas opozitës, gjatë vitit 2015, në kohën kur Kumbaro drejtonte Ministrinë e Kulturës, bashkëshorti i saj ka deklaruar marrjen e pagesave në formën e honorareve nga ky fondacion.
PD pretendon se AADF ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës dhe, për këtë arsye, kërkon që institucionet kompetente të shqyrtojnë edhe këtë pjesë të deklarimeve.
Në përfundim të deklaratës, Partia Demokratike i kërkon ILDKPKI-së dhe SPAK-ut të kryejnë një verifikim të plotë të pasurisë së familjes Kumbaro, duke përfshirë burimin e të ardhurave, dhurimet e pronave, transaksionet e shitblerjes dhe mospërputhjet e pretenduara në deklaratat periodike.
Deri në një verifikim zyrtar nga institucionet kompetente, pretendimet e bëra në deklaratën e PD-së mbeten akuza politike dhe nuk përbëjnë një konstatim të provuar për shkelje ligjore.
DEKLARATA E PLOTE
Nga verifikimi i pasurisë së deklaruar, ministrja Kumbaro rezulton familjarisht me 7 apartamente; konkretisht:
Ap. 119.16 m², bashkëpronare me bashkëshortin, burimi: të ardhura.
Ap. 128 m² në Tiranë, bashkëpronare me bashkëshortin, burimi: të ardhura.
Ap. 92 m², vlera 200.000 EURO, deklaruar në v. 2024, pronar bashkëshorti, burimi: të ardhura, i parregjistruar, nuk është aplikuar për regjistrim.
Ap. 55 m², vlera 1.385.560 LEK, burimi: DHURIM, pronar bashkëshorti.
Ap. 69.1 m², vlera 72.000 EURO, burimi: kursime, pronar 50%.
Ap. 95 m², burimi: të ardhura, bashkëpronare me bashkëshortin, dhuruar vajzës në shtator 2023.
Ap. 89.30 m², burimi: të ardhura, bashkëpronare me bashkëshortin, dhuruar djalit po në shtator 2023.
Ap. 74.50 m², burimi: të ardhura, vlera 60.598 EUR, SHITUR në maj 2022, vlera 124.998 EUR.
1 garazh i deklaruar në v. 2021, me sip. 18 m², vlera 12.800 EURO, burimi: të ardhura, pronare 50%.
1 garazh 18 m², deklaruar nga bashkëshorti në v. 2025, vlera 2.000 EURO, burimi: kursime, pronar 50%.
Nga këqyrja e mënyrës së deklarimit vërehen:
Jopërputhshmëri dhe mungesë faqesh sipas numrit rendor në deklarimet v. 2013; 2015; 2017.
Detaje të përsëritura, por çmime të ndryshme, si p.sh. garazhi, të cilin Kumbaro e ka deklaruar të blerë në v. 2021, garazhi 18 m², çmimi 12.800 euro; ndërsa bashkëshorti deklaron në v. 2025 garazh me të njëjtën sip. 18 m², çmimi 2.000 euro.
Gjatë kohës që Kumbaro ka mbajtur detyrën si Ministre e Kulturës, bashkëshorti në v. 2015 deklaron se ka marrë pagesa në formë honorarësh edhe nga AADF, një fondacion i cili ka një lidhje shumë të ngushtë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës.
Në këto kushte, PD kërkon që ILDKPKI dhe SPAK të verifikojnë në mënyrë të plotë pasurinë e familjes, burimin e të ardhurave, dhurimet e apartamenteve, transaksionet e shitblerjes dhe çdo mospërputhje në deklarimet periodike.
Transparenca për pasurinë e zyrtarëve nuk është zgjedhje politike, por detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve.

