Duket se në Vlorë, përveç çështjeve mjedisore, protestat paskan prishur edhe planet e pushimeve.
Këtë shqetësim ka ngritur deputetja socialiste Zamira Sinaj, e cila ka deklaruar se tubimet kanë ndikuar negativisht në turizmin e qytetit, duke trembur turistët dhe duke çuar në anulimin e një pjese të konsiderueshme të prenotimeve.
Në një lidhje direkte për A2 CNN, Sinaj tha se rreth 40-50% e rezervimeve për muajt shtator dhe tetor janë anuluar. Më shqetësuese pë deputeten e Ramës qenkan turistët e jo thirrjet e protestuesve që kërkojnë largimin e kryeministrit.
“Protestat kanë ndikuar dukshëm në rezervime. Është shumë e rëndësishme që ta theksoj, që kjo gjë nisi si protestë për ambientin, ku nisi nga Vlora, dhe iu kthye në bumerang Vlorës. Sot që flasim rreth 40-50 për qind e prenotimeve edhe të muajit shtator, tetor, që ishin të prenotuara u anuluan. Pra e dëmtoi më së shumti Vlorën. Turistët, sidomos ata të huaj, tremben nga destabilizimi dhe imazhi negativ që kjo opozitë është duke i bërë një të keqe të madhe vendit. Mbaj mend, kam qenë në gjimnaz në 97-ën dhe na u desh gati dy dekada që ta rindërtonim me sakrifica këtë imazh në arenën ndërkombëtare”, u shpreh deputetja.
