Një detaj nga vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Kinë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Gjatë qëndrimit të delegacionit rus në Shenzhen, kamerat kanë filmuar një oficer që mbante një çantë të zezë, e identifikuar si pjesë e sistemit rus të komandës bërthamore.
Pamjet e transmetuara nga mediat ruse RT dhe Rossiya-1 tregojnë momentin kur një gazetar e pyet oficerin nëse bëhet fjalë për çantën e vërtetë bërthamore të presidentit. “Është çanta bërthamore? Ajo e vërteta?”, dëgjohet të pyesë gazetari, ndërsa oficeri përgjigjet shkurt: “Ajo e vërteta”.
Pajisja njihet me emrin “Cheget” dhe është pjesë e sistemit rus të komandës strategjike “Kazbek”. Ajo shërben si një terminal komunikimi i sigurt, që mundëson lidhjen e presidentit me drejtuesit më të lartë ushtarakë dhe transmetimin e urdhrave të koduar në situata kritike.
Ndryshe nga perceptimi i përhapur se çanta përmban një buton të vetëm për lëshimin e raketave bërthamore, sistemi ka një funksion më kompleks. Ajo është pjesë e një mekanizmi komunikimi dhe vendimmarrjeje për komandimin e arsenalit bërthamor rus.
Çanta e shoqëron Putinin edhe gjatë udhëtimeve jashtë Rusisë, në kuadër të protokollit të sigurisë presidenciale. Megjithatë, filmimi nga afër dhe konfirmimi i oficerit kanë bërë që pamjet të marrin vëmendje të veçantë.
Vizita e Putinit në Kinë zhvillohet në kuadër të samitit të APEC-ut, ku në fokus janë edhe marrëdhëniet mes fuqive të mëdha dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare.