Në Greqi ka nisur sot zbatimi i Nismës Kombëtare për Uljen e Çmimeve, një marrëveshje mes qeverisë dhe sektorit të tregtisë që synon të ulë kostot për konsumatorët.
Mbi 1,660 produkte janë përfshirë deri tani në nismë, ndërsa ulja mesatare e çmimeve është rreth 7%. Për disa produkte, ulja arrin deri në 30%.
Konsumatorët grekë do t’i identifikojnë produktet e përfshira përmes një etikete të posaçme në raftet e supermarketeve, me mbishkrimin “Ulja e Çmimeve – Nisma Kombëtare në praktikë”. Në etiketë do të shfaqet çmimi i ri, ndërsa informacioni i detajuar për produktet dhe përqindjen e uljes do të jetë i disponueshëm online përmes platformës “PosoKanei”.
Sipas të dhënave të fundit, rreth 900 produkte të markave të njohura kanë ulje mesatare prej 7%, ndërsa për disa prej tyre zbritja shkon deri në 30%. Në listë janë përfshirë gjithashtu mbi 450 artikuj shkollorë, me ulje mesatare rreth 10%, rreth 250 produkte me markë private me ulje prej 7%, si dhe mbi 60 produkte mishi, me një ulje mesatare prej 7.2%.
Në nismë marrin pjesë më shumë se 90 kompani furnizuese, 12 rrjete supermarketesh dhe 3 rrjete dyqanesh lodrash dhe artikujsh shkollorë.
Një element i rëndësishëm është se ulja përfundimtare mund të jetë edhe më e madhe se 7%. Supermarketet mund të aplikojnë një zbritje shtesë mbi uljen e ofruar nga furnizuesit, ndaj i njëjti produkt mund të ketë çmime të ndryshme nga një rrjet supermarketesh në tjetrin.
