Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka vizituar punonjësit e Policisë Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, duke i falënderuar për angazhimin gjatë sezonit turistik dhe për përballimin e flukseve të larta të udhëtarëve.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ministri vlerësoi punën e efektivëve në pikën kryesore kufitare ajrore të vendit, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë muajit gusht në Rinas u përpunuan rreth 55 mijë pasagjerë në ditë, ndërsa shërbimet kufitare punuan me regjim 12-orësh për përballimin e fluksit.
Demo u shpreh se punonjësit e Policisë Kufitare janë kontakti i parë i shumë vizitorëve me Shqipërinë.
“Ju jeni fytyra e parë që udhëtarët shohin kur mbërrijnë për vendin tonë dhe marrëdhënia që ne krijojmë me këdo që futet në kufi, qytetarë vendas e të huaj, është siguria që duam të përçojmë”, tha Demo.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e teknologjisë në përpunimin e udhëtarëve, duke përmendur modernizimin e sistemeve dhe pajisjeve të kontrollit kufitar, si dhe përdorimin e sistemit e-Gate për shkurtimin e kohës së përpunimit.
Demo deklaroi se forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe teknologjike do të vijojë edhe në periudhën në vazhdim, ndërsa paralajmëroi përforcimin e Komisariatit të Rinasit për t’iu përgjigjur flukseve të pritshme gjatë sezonit të festave dhe sezonit të ardhshëm turistik
