Shumëkush pyet se kush ia sugjeroi Edi Ramës Vlora Hysenin për ta vënë në krye të SHISH. Opozita e lidh me Beogradin. Të tjerë si gjetje për inat të Albin Kurtit që e kishte shkarkuar si kryerare të komanduar të Shërbimit Inteligjent të Kosovës. E disa të tjerë si rekomandim nga agjenci të huaja.
Por ajo që ka mësuar Zoom.al nga burime konfidenciale është më e thjeshtë.
Vlora Hyseni punoi për vite me radhë brenda Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Fillimisht mbajti pozicionin e Drejtoreshës për Marrëdhënie me Jashtë, ku mbulonte bashkëpunimin me agjencitë partnere ndërkombëtare të sigurisë dhe NATO-n. Në shkurt të vitit 2019 u emërua zëvendësdrejtore e AKI-së me vendim të përbashkët të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për një mandat 5-vjeçar.
Nga dhjetori i vitit 2020 deri në pranverën e vitit 2021, pas shkarkimit të drejtorit të atëhershëm Kreshnik Gashi, Hyseni drejtoi përkohësisht Agjencinë e Inteligjencës deri në emërimin e drejtuesit të ri.
Por më 30 qershor 2021, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti morën vendimin e përbashkët për shkarkimin e saj nga posti i zëvendësdrejtoreshës së AKI-së.
Njoftimi zyrtar i lëshuar nga Presidenca dhe Kryeministria e Kosovës nuk paraqiti një motivacion të hollësishëm penal, por theksonte shprehimisht detyrimin ligjor të Hysenit për ruajtjen e të gjitha informacioneve të klasifikuara shtetërore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në disa media u aludua se shkarkimi lidhej me mosmarrëveshje rreth menaxhimit të të dhënave sensitive dhe raportimeve të brendshme, gjë që nxiti institucionet të theksonin detyrimin ligjor për ruajtjen e sekretit shtetëror.
Pas shkarkimit nga Kosova në vitin 2021, ajo u afrua fillimisht si këshilltare pranë kryeministrit Edi Rama, përpara se të emërohej zyrtarisht në krye të SHISH-it në prill të vitit 2023, për t’u arrestuar 3 vjet më vonë nga SPAK për ndihmë ndaj Ergys Agasit dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore. Njësoj si në Kosovë!
Kur Edi Ramës iu vu në dukje ky fakt ai bëri atë që bën gjithmonë, sulmoi denoncuesit.
Burime të besueshme të Zoom.al thanë se ka qenë pikërisht Ergys Agasi personi që ia ka prezantuar Edi Ramës, Vlora Hyenin.
Agasi kishte mundur të krijonte lidhje me të që kur ajo ishte me detyrë në Kosovë. Miq të përbashkët të tyre e dinin se ata shoqëroheshin shpesh. Dhe mesa duket i kishte dhënë garanci Ramës se “e kishte nën kontroll”.
“Ky është në fakt kontrolli që ushtron zakonisht Rama. Ai e bën atë përmes të tretëve, personave që i bëjnë sugjerimet, të cilëve e ka më të lehtë t’u bëjë presion”, thotë një burim qeveritar për Zoom.al
Por Hyseni nuk është i vetmi sugjerim i Agasit. “Ilir Proda po ashtu iu çua në tavolinë kryeministrit po nga Agasi”, thotë i njëjti burim.
Tani Agasi duket se po i merr me vetje gjetjet e tij. Lidhjet ekstraligjore mes tyre e çuan në arrest shtëpie Vlora Hysenin dhe po fundosin edhe ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Prodën.
