Është zbardhur shpërthimi me lëndë plasëse që ndodhi në orët e para të 5 nëntorit në Elbasan, ku u shkrumbua automjeti i një punonjëseje të Bashkisë. Mësohet se policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 02:00 në lagjen “28 Nëntori”, kur një sasi lënde plasëse shpërtheu në njërën prej gomave të para të automjetit tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetases me inicialet A.D.
Si pasojë, makina u përfshi nga flakët, të cilat u përhapën edhe në një automjet tjetër tip “Benz”, të parkuar pranë saj.
Menjëherë pas ngjarjes, grupi hetimor nisi veprimet për mbledhjen e provave dhe identifikimin e personit përgjegjës. Pas hetimeve, policia njofton se ka zbardhur dinamikën e plotë të shpërthimit dhe ka arrestuar autorin e dyshuar.
Ndërkohë ende nuk dihet identiteti i personit të arrestuar dhe as motivet e vendosjes së lëndës plasëse.
