Një seri dokumentesh zyrtare të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Drejtësisë zbardhin informacionet që institucionet kishin marrë në ditët para dhe pas protestës së 21 janarit 2011 në Tiranë. Shkresat, të hartuara nga drejtoritë e policisë në disa qarqe, përshkruajnë skenarë të mundshëm dhune, djegie automjetesh, bllokim të akseve kryesore rrugore dhe rrethim të institucioneve shtetërore, shkruan EPOST
Që më 18 janar 2011, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, kishte informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për rrezikun e sulmeve me gurë, vezë dhe mjete të tjera të forta në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Sipas informacionit të përcjellë, në protestë pritej të merrnin pjesë persona të konsideruar të dhunshëm, të ardhur nga rrethet Shkodër, Laç, Mamurras, Fier, Berat dhe Vlorë.
Në të njëjtin raport ngrihej alarmi edhe për një skenar të mundshëm të djegies së automjeteve të vjetra, të cilat do të vendoseshin mes protestuesve. Parashikohej gjithashtu bllokimi i bulevardit me automjete të ngarkuara me mbeturina, si dhe dëmtimi i makinave të drejtuesve të ministrive dhe automjeteve të parkuara pranë institucioneve shtetërore.
Një tjetër shkresë e së njëjtës datë, shkonte edhe më tej, duke përshkruar një plan të mundshëm për bllokimin e hyrjeve dhe daljeve të kryeqytetit përmes ngritjes së çadrave në akset rrugore. Sipas informacionit policor, skenari përfshinte paralizimin e transportit rrugor, rrethimin e Kryeministrisë dhe madje edhe të pallatit ku banonte familja e Kryeministrit, me synimin për të penguar funksionimin normal të qeverisë.
Në vëmendjen e strukturave policore ishte edhe mundësia e pjesëmarrjes së personave që mbanin armë zjarri për shkak të detyrës, kryesisht punonjës të policisë bashkiake dhe inspektoratit të policisë ndërtimore.
Sipas EPOST paralajmërime për praninë e personave me precedentë kriminalë vinin edhe nga qarqet e tjera. Më 19 janar, Drejtoria e Policisë së Durrësit informonte për pjesëmarrjen e mundshme në protestë të punonjësve të Bashkisë Durrës dhe personave me precedentë kriminalë.
Një ditë më vonë, Policia e Fierit raportonte një tjetër informacion shqetësues. Sipas shkresës datë 20 janar 2011, militantëve që do të udhëtonin drejt Tiranës u ishte kërkuar të merrnin me vete shkopinj, shishe me benzinë, vezë dhe domate. Këto sende, sipas raportimit policor, dyshohej se do të përdoreshin për të provokuar efektivët e Policisë së Shtetit dhe për të destabilizuar situatën gjatë protestës.
Edhe Policia e Shkodrës kishte përcjellë informacione për organizimin e transportit të protestuesve drejt kryeqytetit me autobusë dhe furgonë, duke evidentuar mes tyre persona të konsideruar të dhunshëm dhe me precedentë kriminalë.
Por informacionet institucionale nuk përfundonin me protestën. Më 24 janar 2011, Ministria e Drejtësisë i përcillte Policisë së Shtetit një tjetër njoftim, këtë herë për veprime përgatitore të disa të dënuarve në burgje të ndryshme të vendit. Sipas shkresës disa të burgosur, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohej se po përgatiteshin për t’u larguar nga institucionet ku vuanin dënimin, duke konsumuar veprat penale të largimit të të burgosurit dhe dhënies së ndihmës për largim shruan EPOST
Dokumentet tregojnë se në ditët para 21 janarit, strukturat e Policisë së Shtetit kishin përcjellë në nivelet drejtuese një sërë paralajmërimesh për rrezikun e përshkallëzimit të protestës.
©Copyright EPOST
Ky artikull është ekskluziv i EPOST, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar EPOST dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
