Menaxhimi i protestës së 21 janarit 2011 u shoqërua me një sërë problematikash në strukturat e Policisë së Shtetit. Mbledhja jo në kohë e informacionit, mungesa e mbulimit të plotë të perimetrit të Kryeministrisë dhe mosfunksionimi i zinxhirit të komandimit ishin disa nga mangësitë kryesore.
Komunikimi mes drejtuesve dhe efektivëve në terren nuk funksionoi, madje për një periudhë të konsiderueshme nuk pati fare komunikim. Ndërkohë, drejtuesit e operacionit ishin vendosur në kordonin e parë, duke kufizuar fushëpamjen dhe mundësinë për të kontrolluar të gjitha shërbimet policore.
Efektivët e Rendit dhe të FNSH-së nuk ishin të pajisur plotësisht me helmeta, mburoja, veshje mbrojtëse, spërkatës lotsjellës individualë, granata me gaz CN, fishekë me gaz 12 dhe 40 mm, si dhe automjete ujëhedhëse. Gjithashtu, punonjësit e Rendit dhe Sigurisë Publike nuk kishin marrë trajnimin e nevojshëm për përballimin e situatave të tilla.
Edhe dislokimi i forcave pranë Kryeministrisë që në orën 11:00, tre orë përpara protestës, u konsiderua i parakohshëm, pasi solli lodhjen e efektivëve.
Problematika u evidentuan edhe gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve. Policia nuk e përdori forcën në momentin e duhur dhe në mënyrë të përshkallëzuar, ndërsa në disa raste, veçanërisht gjatë shpërndarjes së protestuesve, përdorimi i shkopinjve të gomës ishte i panevojshëm.
Ndërkohë, përdorimi i lëndëve lakrimogjene dhe automjeteve ujëhedhëse nuk rezultoi efektiv. Edhe punonjësit që kishin në përdorim këto pajisje shfaqën paaftësi profesionale në përdorimin e tyre.
