Pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale dhe portale online të disa materialeve intime që pretendohet se u përkasin personazheve publikë në Shqipëri, themeluesi i Acromax, Aldor Nini, ka paralajmëruar mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale që të mos publikojnë apo t’i shpërndajnë ato.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Nini u ka bërë thirrje portaleve, faqeve në rrjetet sociale, gazetave dhe televizioneve që të mos publikojnë përmbajtjen, ndërsa ka deklaruar se çdo person apo subjekt që e shpërndan atë do të raportohet pranë autoriteteve.
Sipas Ninit, provat lidhur me shpërndarjen e materialeve po i përcillen njëkohësisht edhe Drejtorisë së Policisë, e cila, sipas tij, po punon për identifikimin e personave që kanë publikuar apo shpërndarë përmbajtjen.
Ai ka deklaruar se identifikimi i shpërndarësve mund të kryhet përmes të dhënave teknike dhe të kontaktit, duke përfshirë adresat IP, numrat e telefonit, të dhënat e vendndodhjes, adresat e emailit dhe llogaritë iCloud.
Nini ka paralajmëruar se këto të dhëna mund t’u shërbejnë autoriteteve për të gjurmuar burimin dhe personat që kanë marrë pjesë në shpërndarjen e materialeve intime.
Ndërkohë, materialet vijojnë të qarkullojnë në platforma të ndryshme online, pavarësisht paralajmërimeve për pasojat ligjore të publikimit dhe shpërndarjes së tyre.
