Nga pikat kufitare te komisariatet, nga strukturat operacionale te drejtuesit e policisë, vitet e fundit një numër i konsiderueshëm punonjësish dhe ish-punonjësish të Policisë së Shtetit kanë përfunduar në hetimet e Prokurorisë së Posaçme.
Dosjet e SPAK tregojnë raste të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, nxjerrjes së informacionit konfidencial, ndihmës ndaj grupeve kriminale, trafikimit të narkotikëve dhe përdorimit të funksionit policor për të shmangur kontrollet e autoriteteve.
Një prej operacioneve më të mëdha është ai i Kufirit dhe Migracionit në Kukës.
Në prill 2022, SPAK njoftoi se Gjykata e Posaçme kishte caktuar masa sigurie për 34 persona, mes tyre 32 punonjës të Policisë Kufitare të Kukësit, përfshirë edhe drejtuesin e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Kukës. Sipas SPAK, hetimi kishte dokumentuar 312 episode korruptive në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, ku punonjës policie dyshoheshin se merrnin para për kalimin e personave, favorizonin kontrabandën, trafikun e automjeteve dhe shmangien e regjistrimeve në sistemin TIMS. Për 17 persona u vendos “arrest në burg”, për 14 “arrest në shtëpi” dhe për 3 “pezullim nga detyra”.
Por dosjet e SPAK nuk ndalen te kufiri.
“Five” dhe policët e Tepelenës e Gjirokastrës
Në mars 2022, në kuadër të operacionit “Five”, SPAK vendosi masa sigurie ndaj 42 personave. Mes tyre ishin edhe dy punonjës policie: Fejzo Meçaj, punonjës në Komisariatin e Policisë Tepelenë, dhe Adriatik Logli, punonjës në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Të dy u akuzuan për shpërdorim detyre dhe ndaj tyre u vendos masa “arrest në burg”.
Operacioni lidhej me hetimin e disa grupeve kriminale dhe episodeve të trafikimit të narkotikëve. Në raportimet e kohës, Meçaj dhe Logli rezultojnë ndër personat e arrestuar në këtë dosje.
Dy policë të Durrësit dhe 10 mijë eurot
Një tjetër rast i rëndësishëm është ai i Viktor Buçës dhe Gëzim Llukës, dy punonjës të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Durrës.
Sipas hetimit të SPAK, ata kishin lokalizuar një person të shpallur në kërkim, Alfred Mikelin, dhe pasi e morën në automjet, dyshohet se e lanë të lirë në këmbim të 10 mijë eurove.
Për Buçën dhe Llukën, GJKKO caktoi “arrest në burg” për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Ky rast është veçanërisht domethënës sepse bëhet fjalë për dy efektivë të një strukture operacionale, pra punonjës që kishin pikërisht detyrën e kapjes së personave të shpallur në kërkim.
Dritan Metaj dhe dosja “Flakë në det”
Në vitin 2023, në një prej dosjeve më të rëndësishme të SPAK për trafikun e narkotikëve u arrestua Dritan Metaj, ish-shef i Komisariatit të Kurbinit.
SPAK e përfshiu Metajn në procedimin penal nr. 185/2023, bashkë me persona të tjerë të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga Gëzim Çelaj dhe Arlind Ismajlukaj.
Sipas SPAK, grupi ishte përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të narkotikëve, ndërsa një prej episodeve ishte operacioni policor “Flakë në det”, ku u tentua trafikimi i narkotikëve përmes detit. Metaj është dërguar për gjykim bashkë me të pandehurit e tjerë.
Dedan Gjoni dhe Dejvi Gjermëni
Në një tjetër dosje të SPAK dalin emrat e Dedan Gjonit dhe Dejvi Gjermënit.
SPAK i ka dërguar për gjykim të dy, në një procedim që lidhet me sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e Xhevdet Plakut.
Sipas akuzës, Gjoni, i cili kishte funksion drejtues në strukturat e policisë, dyshohet se i kishte dhënë Gjermënit informacion se kur do të dilte Xhevdet Plaku nga ambientet e policisë, madje edhe informacion për derën nga ku do të largohej. Ky informacion më pas dyshohet se është përcjellë te pjesëtarë të grupit kriminal që po përgatisnin atentatin.
Të dy janë përballur me akuzat për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Metamorfoza: Henrigert Mitri, Klodian Shahini dhe Altin Morina
Një prej goditjeve më të mëdha të SPAK ndaj grupeve kriminale ishte operacioni “Metamorfoza”, ku u lëshuan dhjetëra urdhër-arreste.
Mes personave të kërkuar ishin edhe tre emra të lidhur me Policinë e Shtetit:
Henrigert Mitri, ish-drejtues i Policisë së Lezhës;
Klodian Shahini, ish-punonjës i Policisë Kufitare dhe drejtues i sektorit të luftës kundër narkotikëve;
dhe Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s.
Në vijim, SPAK i ka dërguar për gjykim Mitrin, Shahinin dhe Morinën.
Në njoftimin zyrtar të dhjetorit 2025, SPAK akuzon Klodian Shahinin se, gjatë kohës kur ishte shef i Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve në Policinë e Lezhës, i jepte informacion drejtuesit të një grupi kriminal dhe ndihmonte në shmangien e kontrolleve policore në zonat ku kultivohej kanabisi.
Për Henrigert Mitrin, i cili ishte drejtor i Policisë së Lezhës, SPAK pretendon se ka favorizuar kultivimin e kanabisit, ka dhënë informacione të brendshme dhe ka ndihmuar në shmangien e kontrolleve policore.
Ndërsa Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s, akuzohet nga SPAK për kultivim narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Sipas SPAK, Morina dyshohet se ndihmonte një grup kriminal duke dhënë informacione dhe duke kontribuar në shmangien e kontrolleve të parcelave me kanabis.
Igli Haxhiaj – polici që, sipas SPAK, njoftonte të përgjuarit
Një tjetër emër është Igli Haxhiaj, ish-oficer i Policisë Gjyqësore/Forcës së Posaçme Operacionale.
SPAK ka përfunduar hetimet dhe e ka dërguar për gjykim, duke e akuzuar për shpërdorim detyre, nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion.
Sipas akuzës, në vend që të kryente detyrën e tij në kuadër të përgjimeve dhe hetimeve, Haxhiaj dyshohet se njoftonte personat që ishin nën vëzhgim se po përgjohej. Sipas raportimeve mbi dosjen, për këtë informacion ai dyshohet se merrte edhe pagesa.
Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj
Në maj 2026, SPAK dërgoi për gjykim edhe tre ish-punonjës policie: Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj.
Ata janë përfshirë në një procedim që lidhet me një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve.
Sipas SPAK, Shkëlzen Ruska, atëherë specialist në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, dyshohet se i ofronte drejtuesit të grupit kriminal informacione dhe garanci për vijimin e aktivitetit të paligjshëm.
SPAK pretendon se Erdit Hazizaj kishte kontakte me drejtuesit e grupit dhe dyshohet se u jepte këshilla dhe informacione, ndërsa Ervis Alisinaj, gjithashtu ish-punonjës policie, akuzohet për veprime dhe mosveprime që kanë cenuar funksionimin e strukturave policore.
Rezart Kuçi – nga “shërbime të dalluara” në pranga
Në mars 2026, një tjetër efektiv policie u arrestua nga SPAK.
Bëhet fjalë për Rezart Kuçin, i cili në atë kohë ishte shef seksioni në Policinë Shkencore në Kukës dhe më herët kishte mbajtur funksione drejtuese në Tiranë dhe Vlorë.
Kuçi u arrestua në kuadër të hetimit ndaj grupit të Inez Hajrullës në Vlorë. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Kuçi dyshohet se kishte siguruar logjistikë për transportin e narkotikëve, kishte nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, kishte ndërhyrë në pajisje celulare dhe kishte përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesat e personave të përfshirë në aktivitet kriminal.
Ironia e rastit është se vetëm rreth një vit para arrestimit, Kuçi ishte vlerësuar nga Policia e Shtetit me certifikatë për “Shërbime të Dalluara”, sipas raportimeve të kohës.
GJKKO la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj tij.
Dhe rasti më i fundit: Uljan Shpataraku
Lista merr një tjetër emër në gusht 2026.
Më 26 gusht 2026, në kuadër të operacionit për kapjen e biznesmenit të shpallur në kërkim Ergys Agasi, u arrestua edhe ish-punonjësi i Policisë së Shtetit Uljan Shpataraku.
SPAK konfirmoi zyrtarisht se Shpataraku u arrestua në flagrancë pasi ndodhej në automjet me Agasin dhe ndaj tij u ngrit akuza për “përkrahje të autorit të krimit”.
Më 29 gusht, GJKKO caktoi ndaj Shpatarakut masën “arrest në burg”.
Pas arrestimit, autoritetet i hoqën edhe lejen e armës dhe, sipas raportimeve, sekuestruan në banesën e tij shtatë armë që i mbante me leje: tre pistoleta, dy shotgun dhe dy pushkë.
Ky është rasti më i fundit i një ish-punonjësi policie që përfundon në pranga në kuadër të një hetimi të SPAK.
Një listë që shkon përtej emrave
Pra, duke mbledhur rastet e verifikuara, në dosjet e SPAK që kemi identifikuar dalin:
- Fejzo Meçaj;
- Adriatik Logli;
- Viktor Buça;
- Gëzim Lluka;
- Dritan Metaj;
- Dedan Gjoni;
- Dejvi Gjermëni;
- Henrigert Mitri;
- Klodian Shahini;
- Altin Morina;
- Igli Haxhiaj;
- Erdit Hazizaj;
- Shkëlzen Ruska;
- Ervis Alisinaj;
- Rezart Kuçi;
- Uljan Shpataraku.
Këtu nuk kemi të bëjmë me një komisariat të vetëm apo me një periudhë të vetme. Në listë ka punonjës kufiri, oficerë krimesh, drejtues komisariatesh, ish-drejtues policie, efektivë të RENEA-s dhe punonjës të strukturave operacionale.
Dhe ajo që i bashkon një pjesë të këtyre dosjeve është pikërisht keqpërdorimi i informacionit dhe i funksionit policor.
Në disa raste, sipas akuzave të SPAK, policët dyshohen se kanë marrë para për të liruar persona në kërkim. Në raste të tjera dyshohen se kanë informuar grupet kriminale për kontrollet, kanë ndërhyrë në TIMS, kanë nxjerrë informacion nga hetimet ose kanë ndihmuar në shmangien e kontrolleve të parcelave me kanabis.
Copyright EPOST
Ky artikull është ekskluziv i EPOST, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar EPOST dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
