Një mesazh i veçantë mbështetjeje i është drejtuar kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, në një prej momenteve më të vështira të përballjes së tij me drejtësinë.
Një prift i ka kushtuar Shkrelit një letër publike, ku shpreh mbështetjen e tij personale dhe njerëzore për kryebashkiakun, ndërsa e inkurajon që ta përballojë këtë periudhë me qetësi, urti dhe dinjitet.
Mesazhi vjen në një kohë kur SPAK ka kërkuar 1 vit burg për Kristian Shkrelin, i cili vijon të mbajë detyrën e kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës.
Në letrën e tij, meshtari i drejtohet Shkrelit me një ton miqësor, duke i thënë se në këtë periudhë nuk është vetëm.
“Jemi me ty në lutjet dhe mendimet tona, tue të urue forcë, urti, qetësi dhe qëndrueshmëni për me e përballue këtë periudhë”, shkruan ai.
Prifti kujton edhe marrëdhënien e krijuar ndër vite me kryebashkiakun, duke vlerësuar komunikimin dhe respektin mes tyre, si dhe marrëdhënien me Bashkinë Vau i Dejës.
“E kam vlerësue gjithmonë komunikimin, respektin dhe marrëdhënien njerëzore që kemi ndërtue ndër vite, si dhe mikpritjen dhe vlerësimin që ma ke tregue, së bashku me Bashkinë e Vaut të Dejës”, shprehet ai.
Më tej, meshtari i përcjell Shkrelit një mesazh të drejtpërdrejtë solidariteti, duke theksuar se, sipas tij, kryebashkiaku ka njerëz që vazhdojnë ta vlerësojnë dhe ta mbështesin.
“Mos harro se ke shumë njerëz që të vlerësojnë dhe të mbështesin në rrugëtimin tand njerëzor dhe në punën që ke ba në shërbim të komunitetit”, thuhet në letër.
Prifti e lidh këtë mbështetje edhe me vështirësitë që shoqërojnë angazhimin në shërbim të komunitetit dhe në funksionet publike. Ai shkruan se përgjegjësitë publike nuk janë gjithmonë të lehta dhe se ato mund të shoqërohen me “sfida, keqkuptime dhe vështirësi”.
“Shërbimi ndaj njerëzve kërkon përkushtim, durim dhe sakrificë, ndërsa përgjegjësitë publike shpesh shoqnohen edhe me sfida, keqkuptime dhe vështirësi”, shkruan meshtari.
Në një tjetër pjesë të mesazhit, ai thekson rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve njerëzore edhe në momente të vështira.
“Besoj se respekti, miqësia dhe lutja janë vlera që nuk duhet të varen nga rrethanat e momentit”, shprehet ai.
Në fund, prifti i uron Shkrelit shëndet, forcë dhe paqe shpirtërore, duke i bërë thirrje që ta përballojë situatën me qetësi dhe besim.
“Të uroj shëndet, forcë dhe paqe shpirtënore. Zoti të ndriçoftë, të udhëheqtë dhe të dhashtë urtinë e nevojshme në çdo hap!”, përfundon mesazhi.
Letra mbyllet me një tjetër deklaratë të fortë solidariteti: “Miqësia, respekti dhe lutja nuk duhet të mungojnë pikërisht në momentet e vështira.”
Mesazhi i priftit për Shkrelin vjen ndërsa çështja e kryebashkiakut vijon të jetë në fokus të drejtësisë, pas kërkesës së SPAK për dënimin e tij me një vit burg. Në këtë kontekst, letra përbën një nga reagimet publike të mbështetjes ndaj tij, duke e vendosur theksin jo te çështja juridike, por te marrëdhënia njerëzore dhe mbështetja që, sipas autorit të saj, Shkreli ka në komunitet.
