Një ndërhyrje dentare në Tiranë i ka ndryshuar përgjithmonë jetën një 39-vjeçari italian nga Barletta. Simone Del Vecchio udhëtoi drejt Shqipërisë në mars të vitit 2024, i joshur nga kostot më të ulëta të trajtimeve dentare krahasuar me Italinë.
Sipas një hetimi të publikuar nga La Repubblica Bari, më 13 mars 2024 Simone iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në një klinikë dentare në Tiranë, ku iu hoqën të gjithë dhëmbët në një seancë të vetme.
Rreth një orë pasi ishte kthyer në hotel së bashku me nënën e tij, 39-vjeçari u rrëzua teksa po përpiqej të pinte ujë. Në një kohë të shkurtër, ai pësoi katër arrestime kardiake.
Simone u dërgua në terapi intensive në Tiranë dhe më pas u transferua në Itali. Ai qëndroi në koma për rreth dy muaj dhe u zgjua në maj të vitit 2024.
Që prej atëherë, jeta e tij ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Sot ai jeton në Barletta, pjesën më të madhe të kohës në shtrat ose në karrocë me rrota dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm nga familjarët.
Sipas dëshmisë së vëllait të tij binjak, Marco Del Vecchio, Simone ka dëmtime të rënda njohëse, kriza spastike dhe vështirësi në gëlltitje. Ai ushqehet përmes një tubi PEG dhe komunikon vetëm në momente të rralla qartësie. Sipas familjes, ai ka humbur edhe pjesën më të madhe të kujtimeve për jetën dhe punën e tij.
Rasti i Simone është pjesë e një hetimi të La Repubblica Bari mbi turizmin dentar në Shqipëri, ku pacientë nga Italia udhëtojnë për trajtime për shkak të çmimeve më të ulëta.
Sipas të dhënave të cituara nga gazeta, në Shqipëri funksionojnë rreth 150 klinika që ofrojnë paketa dentare për pacientë të huaj, rreth 100 prej tyre në Tiranë. Paketat shpesh përfshijnë trajtimin dentar, akomodimin dhe transportin nga aeroporti, ndërsa reklamat premtojnë kursime që mund të arrijnë deri në 70%.
Hetimi sjell edhe dëshmi të pacientëve të tjerë italianë, të cilët pretendojnë se kanë pasur probleme pas trajtimeve dentare në Shqipëri.
Një 57-vjeçare nga Puglia, e identifikuar me emrin e ndryshuar Rossana, deklaron se udhëtoi drejt Tiranës pas një oferte prej 6700 eurosh, ndërsa në Itali trajtimi i ishte vlerësuar rreth 13-14 mijë euro. Sipas dëshmisë së saj, gjatë një ndërhyrjeje gjashtëorëshe iu hoqën 26 dhëmbë dhe më pas pati probleme me implantet.
Një tjetër paciente 61-vjeçare, e identifikuar si Laura, pretendon se pas një trajtimi prej 6300 eurosh pati vështirësi në të folur dhe në ushqyerje.
Në hetim përmenden edhe shqetësimet e disa profesionistëve italianë lidhur me ndërhyrjet tepër invazive, përfshirë nxjerrjen e një numri të madh dhëmbësh në vend të trajtimeve konservative. Ekspertët ngrenë gjithashtu problematikën e informacionit mbi materialet dhe sistemet e implanteve të përdorura, gjë që mund ta vështirësojë trajtimin e pacientëve pas kthimit në Itali.
Edhe Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë, sipas La Repubblica, ka pranuar se ekzistojnë raste problematike dhe se janë nisur procedura disiplinore mbi bazën e ankesave të pacientëve.
Rasti i Simone Del Vecchio është tashmë në qendër të debatit mbi rreziqet e turizmit dentar dhe pasojat që mund të ketë një ndërhyrje mjekësore e kryer larg vendit të banimit, veçanërisht kur vendimi ndikohet kryesisht nga diferenca e çmimeve.
