Loer Kume, deputet i Partisë Socialiste për Durrësin dhe prozator e eseist i njohur, ka njoftuar mesditën e kësaj të premte ndarjen nga jeta të bashkëshortes.
Me zemrën e thyer dhe dhimbjen e pamasë për ikjen e bashkudhëtares së tij të jetës, Loeri njofton të afërm e miq për vdekjen e Lorinës.
“Lorina, Lori, Lorushi, dashuria ime që 18 vjeç, më shumë se gjysma ime, shpirti im binjak, shtëpia ime, gruaja, e dashura, shoqja, mësuesja ime, nxënësja ime, busulla ime, mishi im, zëri e fjala e syri im, gjithçkaja e madhe, nëna e fëmijëve tanë, dy mrekullive, sot na la vetëm.
Ne të tre, familja, njerëzit që e njohën, e prekën, e dëgjuan, u mbështollën nga energjia dhe aura e Lorit, Lorushit, e donim këtu të na donte pa limite e të na ndriçonte siç e ka bërë gjithë jetën e saj. Fati e deshi ndryshe”, shkruan deputeti socialist.
Loer Kume tregon se me Lorinën ishin njohur në moshën 18 vjeçare dhe prej dy dekada e gjysmë ishin bashkudhëtarë në jetë. Nga martesa e tyre, kanë sjellë në jetë dy fëmijë, të cilët prej sot do të ndjejnë përgjithmonë mungesën e nënës.
Deputeti socialist i Durrësit zbulon se bashkëshortja ishte në luftë me një sëmundje, dhe pavarësisht se kishte qëndruar e fortë në përballje me të, fatkeqësisht këtë të premte ka mbyllur sytë përgjithmonë.
“Dhe në luftë e tregoi veten njeriun më të fortë që kemi njohur e dëgjuar. Sot kemi trashëgiminë e Lorit pas. Varrimi bëhet ditën e shtunë, 19/09/2026. Pritjet bëhen ditën e diel, të martë dhe të mërkurë, ora 09:00–13:00, 16:00–21:00. Agjencia Leba. Lagjja nr. 6, Rruga Andon Naçi – Durrës”,shkruan deputeti Loer Kume.
