Ish-presidenti Ilir Meta nuk do të qëndrojë më në kafazin e qelqtë gjatë seancave gjyqësore. Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e tij dhe ka vendosur që Meta të ndjekë procesin gjyqësor i ulur në sallë, pranë avokatit të tij.
Vendimi është marrë sot nga gjyqtarja Saida Dollani, e cila gjatë seancës ka urdhëruar që Meta të dilte nga kafazi i qelqtë dhe të ulej përkrah mbrojtësit të tij.
Meta doli nga kafazi gjatë shqyrtimit të çështjes që lidhet me afatet e paraburgimit. Kjo çështje po shqyrtohet nga gjyqtarja Saida Dollani, pasi më herët seanca ishte shtyrë për shkak të kundërshtimit të pezullimit të afateve të paraburgimit.
Me vendimin e sotëm, ish-presidenti do të mund të marrë pjesë në procesin gjyqësor në një tjetër pozicion fizik brenda sallës së gjyqit, duke pasur avokatin në krah gjatë zhvillimit të seancave.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka shtyrë shqyrtimin e kërkesës së Ilir Metës për zëvendësimin e masës së sigurisë. Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e trupit gjykues.
Seanca për këtë kërkesë është caktuar të zhvillohet ditën e nesërme, kur pritet të shqyrtohet nëse masa aktuale e sigurisë ndaj ish-presidentit mund të zëvendësohet me një masë tjetër.
