Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka zhvilluar takime me strukturat e Policisë në Elbasan, Berat dhe Kukës, ku në fokus ka qenë forcimi i sigurisë dhe rritja e reagimit ndaj problematikave kriminale.
Hita u ka kërkuar drejtuesve të policisë që të ndjekin në mënyrë dinamike konfliktet dhe denoncimet e qytetarëve, të identifikojnë dhe arrestojnë personat që qarkullojnë me armë zjarri apo merren me trafikim të lëndëve narkotike, si dhe të intensifikojnë punën për kapjen e personave në kërkim.
Një prej prioriteteve kryesore të përcaktuara nga kreu i Policisë së Shtetit është siguria në shkolla, veçanërisht me nisjen e vitit të ri mësimor. Hita ka kërkuar angazhim maksimal të shërbimeve të Policisë dhe bashkëpunim të ngushtë me oficerët e sigurisë në shkolla për garantimin e një procesi mësimor të qetë dhe të sigurt.
Shefave të Komisariateve u është kërkuar që ta ndjekin çdo ditë situatën pranë institucioneve arsimore dhe të trajtojnë drejtpërdrejt çdo problem të raportuar nga shkollat.
Në perimetrin e sigurisë së shkollave do të fokusohen edhe Sektorët e Narkotikëve, strukturat “Shqiponja” dhe shërbimet Operacionale, me synimin për të parandaluar shitjen e drogës apo përfshirjen e personave të jashtëm në konflikte me nxënësit.
Në fokus është vendosur edhe siguria rrugore. Hita ka kërkuar intensifikimin e kontrolleve dhe monitorimit të qarkullimit, përfshirë përdorimin e mjeteve inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ndërhyrjen e menjëhershme ndaj shkeljeve.
Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar gjithashtu që drejtuesit vendorë të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën e sigurisë në territoret që mbulojnë dhe të garantojnë reagim të shpejtë e profesional ndaj problematikave.
Një tjetër porosi e Hites ka qenë hapja e dyerve të komisariateve për qytetarët. Shefat e Komisariateve dhe Drejtorët e Qarqeve janë udhëzuar të presin qytetarët, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të angazhohen për zgjidhjen e problematikave që janë në kompetencë të Policisë.
Takimet e Drejtorit të Përgjithshëm do të vijojnë edhe në Drejtoritë e tjera Vendore të Policisë, si dhe në Drejtoritë Vendore për Kufirin dhe Migracionin.
