Sekuestro konservative mbi kuotat e AlbChrome, bllokohet shitja dhe tjetërsimi i aksioneve
Një masë sekuestroje konservative është vendosur mbi kuotat e shoqërisë AlbChrome, duke kufizuar përkohësisht mundësinë e shitjes apo tjetërsimit të tyre. Sipas të dhënave të regjistruara për shoqërinë, Zyra Vendore Përmbarimore Tiranë sh.p.k. ka nxjerrë urdhrin nr. 16416 Prot., datë 3 korrik 2026, për vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi kuotat e zotëruara nga pala debitore, shoqëria AlbChrome sh.p.k.Urdhri është depozituar në regjistër më 9 korrik 2026. Me këtë masë kufizohet edhe kryerja e veprimeve që lidhen me shitjen apo tjetërsimin e kuotave të shoqërisë
Çfarë do të thotë masa?
Në rastin e AlbChrome, masa prek kuotat e shoqërisë dhe nuk nënkupton automatikisht sekuestrimin e aktivitetit, fabrikave apo aseteve fizike të kompanisë. Kufizimi lidhet me të drejtën për t’i shitur apo transferuar ato gjatë kohës që masa është në fuqi.
Kuotat e AlbChrome, edhe më parë objekt masash
Historiku i shoqërisë tregon se kuotat e AlbChrome kanë qenë edhe më herët objekt masash sigurie. Në vitin 2016, mbi aksionet e kompanisë ishte vendosur një sekuestro konservative në lidhje me detyrime ndaj KESH, masë e cila më vonë ishte liruar.
Në vitet pasuese janë regjistruar gjithashtu marrëveshje kolaterali dhe barra siguruese në favor të institucioneve financiare, disa prej të cilave janë çregjistruar më vonë.
Masa e re vjen në një periudhë të vështirë
Vendosja e sekuestros së re vjen në një periudhë kur AlbChrome është përballur edhe me zhvillime të tjera. Në maj të këtij viti, kompania u gjobit nga autoritetet mjedisore dhe aktiviteti i saj u pezullua përkohësisht pas konstatimit të mbetjeve të rrezikshme në ambientet e kompanisë.
