Ka nisur këtë të enjte pelegrinazhi tradicional në malin e shenjtë të Tomorrit, ku mijëra besimtarë bektashinj nga Shqipëria dhe jashtë vendit po ngjiten drejt Teqesë së Kulmakut për të marrë pjesë në Festën e Baba Tomorrit.
Festa zhvillohet gjatë datave 20-25 gusht, ndërsa besimtarët ngrenë çadrat në mal dhe ndjekin ritualet tradicionale, përfshirë edhe kurbanin e një qengji. Pelegrinët drejtohen drejt vendit ku prehet Abaz Aliu, duke u lutur për shëndet, mirësi dhe paqe në familjet e tyre.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga pelegrinazhi, duke e cilësuar këtë ngjarje si një prej traditave të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore të zonës.
“Mali i Tomorrit këtë javë mirëpret besimtarë bektashinj dhe vizitorë nga Shqipëria e gjithë bota për t’iu bashkuar një prej traditave më të bukura shpirtërore e kulturore të zonës, Festës së Kulmakut”, shkroi Rama.
Për shkak të fluksit të madh të pelegrinëve, Policia e Beratit ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e trafikut gjatë gjithë periudhës së pelegrinazhit, i cili zhvillohet nga 18 deri më 25 gusht 2026.
