Një tjetër dëshmi e fortë vjen nga biznesmeni i kompanisë shqiptaro-amerikane ALBKALUSTYAN sh.p.k., me aktivitet në Maminas, Durrës, e cila merret me eksportin e produkteve “Made in Albania” në pesë kontinente.
Në një reagim publik, biznesmeni Xhavit Hysenaj tregon se, sipas tij, policë të zonës vizitonin pothuajse çdo ditë ambientet e fabrikës. Ai rrëfen se shefat e krimeve të komisariatit, gjatë bisedave shoqërore, i përsërisnin: “Po takoje shefin, se do kesh nevojë për të.”
Biznesmeni thotë se nuk pranoi ta takonte, ndërsa një ditë në fabrikë u shfaqën, sipas tij, mbi 40 forca speciale me automjete me xhama të zinj.
“Dy drejtorë, siç u prezantuan, më provokuan duke më thënë se merresha me distilim droge”, rrëfen ai.
Pas kësaj, ai thotë se depozitoi kallëzim penal në prokurori dhe çështja vijoi në gjykatë. Sipas tij, gjatë procesit u zbulua se një prej drejtuesve të policisë, të cilin ai kishte refuzuar ta takonte, e kishte vënë në ndjekje penale.
Biznesmeni pretendon se për 12 muaj ka qenë nën përgjime dhe ndjekje, një periudhë që, sipas tij, i ka shkaktuar stres të madh.
Megjithatë, ai thekson se gjykata e rrëzoi akuzën, ndërsa personi për të cilin ai ngre pretendimet vijon ende të jetë pjesë e Policisë së Shtetit.
Në fund, biznesmeni ka edhe një apel të drejtpërdrejtë:
“Thirrje Policisë: kujdes me popullin dhe bizneset e shëndosha!”
Një dëshmi që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si trajtohen bizneset dhe sipërmarrësit që operojnë në Shqipëri.
