Policia e Lushnjës ka arrestuar Florion Dalladakun, pak orë pasi ai dyshohet se vrau mamanë e tij me sqepar dhe plagosi të atin, raporton A2 CNN.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë të njësisë administrative Krutje. 45-vjeçari Florion Dalladaku dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me sqepar nënën e tij, shtetasen Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babanë e tij, shtetasin Hasan Dalladaku, 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Sipas policisë, Dalladaku dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Ai u largua fillimisht nga banesa, por u arrestua nga policia rreth një orë pas ngjarjes.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes
