Dy aktivistët që hodhën vezë në drejtim të makinës së kryeministrit Edi Rama dolën nga burgu, pasi gjykata e vlerësoi arrestimin e tyre të paligjshëm, me argumentin se goditja me vezë nuk përbën akt dhune.
Por në këtë histori lind një tjetër pyetje: kush mban përgjegjësi për arrestimin e paligjshëm të dy qytetarëve?
Nëse gjykata ka konstatuar se nuk ekzistonin kushtet ligjore për arrestimin e tyre, atëherë duhet të verifikohen edhe veprimet e oficerit të policisë gjyqësore që firmosi aktet e arrestimit. A u vlerësuan drejt rrethanat? A kishte bazë ligjore për privimin e tyre nga liria? Dhe, mbi të gjitha, a u respektuan procedurat që garantojnë të drejtat e qytetarëve?
Kjo nuk do të thotë se OPGJ-ja është automatikisht fajtor vetëm sepse gjykata shpalli arrestimin të paligjshëm. Por vendimi gjyqësor është një arsye për të shqyrtuar nëse ka pasur shkelje dhe nëse ato sjellin përgjegjësi disiplinore apo penale.
Dy aktivistët u liruan, por kush do të verifikojë përgjegjësinë për prangat e vendosura? Nëse arrestimi është kryer në kundërshtim me ligjin, qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse do të ketë verifikim institucional dhe nëse do të merren masa ndaj personave përgjegjës.
Sepse ligji nuk mund të kërkohet vetëm nga qytetarët. Ai duhet të zbatohet edhe nga ata që kanë për detyrë ta mbrojnë atë.
