Oficerët e BKH-së, me urdhër të SPAK-ut dhe me vendim të gjykatës, ushtruan kontrolle në Bashkinë e Tiranës, për të sekuestruar dosje dhe materiale.
Ndërkohë në mediat e Irfanit dhe të tjera media raportuan se gjatë kontrolleve ishin sekuestruar dokumente që kishin të bënin me udhëtimet dhe dietat e Erion Veliajt.
Në rast se SPAK-u ka shkuar të marrë udhëtimet e kryebashkiakut mund të jetë një veprim i vonuar për hetimet.
Në bashki, SPAK-u mund të gjejë udhëtime zyrtare, ftesat për aktivitete të ndryshme, por jo gjithçka. Erion Veliaj nuk ka vetëm këto fluturime, ato që ka paguar bashkia me taksat e qytetarëve të Tiranës që mund të jenë qindra miliona lekë në 10 vitet e tij si kryebashkiak, kjo për faktin se Erion Veliaj më shumë qëndronte jashtë sesa në Shqipëri, po të mbledhim këtu edhe ditët e pushimeve.
Veliaj deklaron në qëndrimet e tij publike se duhet të kthehet në detyrë, se nuk duhet të qëndrojë në burg, duhet t’u shërbejë qytetarëve.
Nga hetimet e SPAK-ut mund të rezultojë se Veliaj ka qenë në mijëra udhëtime gjatë mandateve të tij jashtë Shqipërisë. Janë me dhjetëra apo qindra rastet e denoncuara në media nga opozita që Veliaj shihej në Rinas, në Vienë, në Frankfurt, në Barcelonë, në New York, në Uashington, në Japoni, në Irak a gjetkë, ndërkohë në Tiranë mediat na tregonin se po punonte, po mbillte pemë, inauguronte shkolla, po ndërtonte çerdhe. Në fakt, Veliaj ishte jashtë dhe vetëm jashtë në udhëtime zyrtare.
Altin Dumani dhe Ols Dado janë të vonuar në hetim me udhëtimet e Veliajt, jo vetëm ato në regjistrat e Bashkisë së Tiranës.
Thelbi i hetimeve duhet të jetë sistemi TIMS, ku SPAK-u duhet të zbulojë udhëtimet me biznesmenë të ndryshëm, pushimet e Veliajt jashtë vendit.
Fakti që kryebashkiaku i Tiranës më shumë ditë i kishte rrugëve të botës se në Tiranë, është një fakt thuajse i ditur, por që i hetuar nga SPAK-u dhe i zbardhur do të vërë pikat mbi “i”.
Erion Veliaj, bashkëshortja e tij dhe Elaman Abule me bashkëshorten udhëtuan në Japoni, ky është vetëm një rast, të shkosh në Japoni duhen dhjetëra mijëra dollarë.
Mirë udhëtimet që ka bërë me taksat e shqiptarëve si kryebashkiak, po a ka udhëtime me biznesmenë, pushime në hotele me familjarë ose jo, Erion Veliaj gjatë detyrës si kryebashkiak?
Në rast se SPAK-u do të zbulojë të tilla fakte dhe prova, kryebashkiaku i Tiranës vihet sërish me shpatulla pas murit sepse në një vëzhgim të thjeshtë të deklaratve të tij të pasurisë që CNA i ka zbardhur shpesh nuk duket ndonjë deklarim për shpenzime të kryera për udhëtime private apo të paguara nga biznesmenë qoftë në Vienë, Holandë, Jugun e Francës apo Jugun e Italisë.
Zbardhja e udhëtimeve të Erion Veliajt do të nxjerrë fytyrën e tij të vërtetë dhe do të rrëzojë përfundimisht narrativën e tij se duhet të kthehet në zyrë që t’u shërbejë qytetarëve. Kur hetimet mund të nxjerrin se Veliaj ka qëndruar më shumë në ajër dhe jashtë sesa në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës.
Hetimet e udhëtimeve mund të na tregojnë edhe më shumë për lidhjet e tij me biznesmenë. Së fundi, duke parë deklaratat e pasurive të udhëtimeve dhe lëvizjeve të Veliajt destinacionet a ka kryer shpenzime, a ka kryer pushime dhe në rast se këto nuk janë deklaruar do të jenë një tjetër thesar në duart e prokurorëve të SPAK-ut, të cilët, siç e theksuam më lart ndoshta janë të vonuar në hetimin e këtij segmenti për Erion Veliajn por siç ne e kemi shkruar e theksuar kryebashkiakut të Tiranës i duhet bërë veting siç u është bërë prokurorëve apo gjyqtarëve.
Veliaj deklaron se SPAK-u i ka bërë veting, në fakt nuk është e vërtetë. Veting do të thotë të hetohet çdo pasuri, çdo e ardhur, çdo shpenzim, mënyra si jeton, kostot e jetesës, ndërsa Erion Veliajt thjesht i janë hetuar lidhjet e tij me akuzat për korrupsion.
Edhe udhëtimet mund të zbulojnë të tilla lidhje, por nuk mjafton. SPAK duhet të bëjë atë që Veliaj e thotë, të bëjë veting të plotë, siç vetë kryebashkiaku deklaron se ka ndodhur, por në fakt mesa duket ende nuk kemi parë asgjë akoma.
