Zëvendësdrejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Mentor Çuku, është diplomuar në Akademinë e Udhëheqjes së Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (DHS), një program i nivelit të lartë për drejtues të agjencive të zbatimit të ligjit.
Diplomimi u realizua falë mbështetjes së programit ICITAP të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) të Departamentit të Shtetit.
Programi u zhvillua pranë Qendrave Federale të Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (FLETC), në Glynco, Georgia, ku Mentor Çuku iu bashkua drejtuesve të lartë ndërkombëtarë, federalë, shtetërorë dhe lokalë të institucioneve të zbatimit të ligjit.
Gjatë Akademisë së Udhëheqjes, pjesëmarrësit përfituan njohuri të avancuara mbi praktikat më të mira të drejtimit të qendrave rezidenciale të trajnimit dhe standardet më të larta të lidershipit në fushën e zbatimit të ligjit.
Sipas njoftimit, ky program synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër organizatave kriminale ndërkombëtare dhe karteleve të drogës, si dhe të rrisë kapacitetet profesionale të drejtuesve të agjencive të sigurisë.
Diplomimi i Mentor Çukut në këtë program konsiderohet një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe partnerëve amerikanë në fushën e hetimit dhe luftës kundër krimit të organizuar.
