Ish-komandoja dhe kolegu i Uljan Shpatarakut, Fatjon Ramadani, ka reaguar publikisht përmes një statusi në rrjetet sociale, ku ka rrëfyer historinë e njohjes dhe bashkëpunimit me të, duke vlerësuar figurën e tij si ushtarak dhe efektiv të Policisë së Shtetit.
Ramadani tregon se e ka njohur Shpatarakun gjatë kursit Komando, një trajnim i vështirë dhe i mbushur me sakrifica, të cilin sipas tij e përfunduan vetëm 32 persona nga rreth 400–500 kandidatë të përzgjedhur me rigorozitet.
Ja statusi i Fatjon Ramadanit:
Uljan Shpataraku, djali i të gjitha sfidave të jetës. Që i vogël u përball me dhimbje, por ai vazhdoi të shkëlqente.
E njoha në kursin e vështirë e plot sakrifica Komando, të cilin arritëm ta mbarojmë me sukses një grup shumë i vogël shokësh.
Nga 400 deri në 500 komando të zgjedhur me shumë rigorozitet nga komandantët më të mirë që kishte reparti elitar Komando, vetëm 32 e mbaruam, duke treguar që ne ishim gati të hidhnim një hap më tutje dhe t’i shërbenim Atdheut 🇦🇱 në një mision të vështirë e plot sakrifica në Irak.
Misioni vazhdoi dhe çdo gjë po shkonte me shumë sukses në çdo detyrë që ne merrnim dhe bashkëpunonim me aleatët tanë amerikanë.
Arritëm një moment që, si shenjë falënderimi nga amerikanët, na u lejua t’u bënim sigurinë nga afër gjatë ardhjes për vizitë në Mosul të Irakut Sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Donald Rumsfeld, ku disa çuna u vlerësuan me medalje nderi nga vetë Sekretari Amerikan.
Uljani kaloi sfidën më të madhe nga të gjithë ne atje. Të gjithë donim ta ndihmonim, por ai vendosi ta kalonte i vetëm, duke menduar e vlerësuar Atdheun, familjet tona, të të gjithëve, pa lënë asnjë pasojë tek askush.
Me ardhjen nga misioni, pasi u shkëput nga Ushtria, vendosi të mbaronte fakultetin. Pasi mbaroi atë, ai konkurroi në radhët e policisë së shtetit, e fitoi dhe u certifikua në Ambasadën Amerikane si më i miri.
Për Julin, shokun tonë, do të flisja me ditë, por po përmblidhem. Dua të them që policia e shtetit dhe Ministria e Rendit, bashkë me kryeministrin Rama, këta djem të mirë e atdhetarë nuk ditën kurrë t’i ruanin, t’u jepnin meritat e duhura e t’i bënin asete kombëtare që të na bënin krenarë të gjithëve me punën e vlerat e tyre.
Uljani është dhe do të jetë gjithmonë shoku im i luftës ❤️🇦🇱.
Ai do të dalë faqebardhë edhe nga kjo sfidë që i duhet ta kalojë, se mediat tona, e kemi marrë vesh, se s’do ta bëjnë kurrë punën që u takon.
Love you, Juli 💪👑”
