Nga Fatjon Gjinaj, Syri
Në Shqipëri, pushteti nuk prodhon vetëm ministra, deputetë, drejtorë dhe kryebashkiakë. Po ju flas për një tjetër model, ata që, në një moment të caktuar të jetës, kalojnë nga anonimiteti ose nga një karrierë normale profesionale në qendër të një sistemi politik, administrativ dhe ekonomik ku vendimmarrja publike, tenderat, koncesionet, administrata dhe lidhjet politike ndërthuren por nuk janë njësoj. Kanë qëllime të ngjashme, por nuk duan konkurrent, ndaj në shumë raste filmat me pranga, janë fiks lufta e tyre e heshtur nëndhe.
U kërkoj ndjesë të tjerëve, por kur nisa ti radhis, vura kusht 7 emra, nisa ti them me zë dhe lista më doli si më poshtë. Ergys Agasi, Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Alqi Bllako, Mirlinda Karçanaj, Belinda Balluku dhe Erion Veliaj. Të pangjashëm, me histori, role dhe status juridiko-penal të ndryshëm me një të përbashkët, të gjithë janë bërë shumë më tepër se sa do të ishin nëse jeta e tyre do të kishte mbetur vetëm brenda profesionit, biznesit apo karrierës së zakonshme.
Çfarë u dha sistemi këtyre njerëzve dhe çfarë i kushtoi atyre të qenit pjesë e tij? Le të përpiqemi ti marrim me radhë:
1. ERGYS AGASI, nga administrata politike te biznesmeni në qendër të dosjes ‘AKSHI’. Rrugëtimi i tij nuk nis si figurë e madhe publike. Po, është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi dhe hyri në skenën publike relativisht i ri. Në vitin 2013, me propozim të LSI-së, u emërua drejtues i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, post që e mbajti deri në vitin 2017. U zhvendos drejt biznesit, me aktivitete në logjistikë, tregti, ndërtim dhe sektorë të tjerë. Agasi bëhet i ‘famshëm’ jo se shkruajti histori sa më sipër, por duke qenë target i vazhdueshëm akuzash publike për afërsi me pushtetin dhe, më vonë, për hetimin e madh të SPAK për tenderët e AKSHI-t. (Rezervohem më gjerë tek ky emër pse dhe si përfundoi në pranga sepse është rast i freskët, ndaj po ndalem tek profili dhe objekti i kësaj analize)
Nëse do flasim në terma të thjeshtë dhe përmbledhur trajektorja e jetës së këtij shtetasi shkon:
FAMILJE POLITIKE – ADMINISTRATË – BIZNES – NDIKIM – HETIM PENAL.
2. SAIMIR TAHIRI, nga jurist dhe zëdhënës politik te ministri i Brendshëm dhe i dënuar
Tahiri ishte jurist dhe askush s’di të thotë se cila ishte gjurma që la si i formësuar profesionalisht në këtë profesion, por të gjithë e dinë se si e nisi ngritjen politike përmes Partisë Socialiste. Rreth vitit 2007 u bë një prej zërave më të fuqishëm publikë të PS-së, fillimisht në komunikimin politik ku ishte në çdo aksion dhe në çdo foltore dhe më pas si deputet.
Nga një jurist i ri dhe zëdhënës partie, Tahiri u shndërrua në deputet dhe më pas, pas fitores së PS-së në 2013, në ministër të Brendshëm. Kjo ishte një nga ngjitjet më të shpejta në politikën shqiptare, rastësisht apo jo edhe me rënien më të shpejt.
Ishte në krye, në majë, po fitonte popullaritet dhe influenca të forta, por historia ndryshoi pas hetimeve që lidhën rrethin e tij me aktivitetin kriminal të grupit Habilaj. Në vitin 2022, Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre. Tek Tahiri ka një paradoks:
Një njeri mund të ngjitet deri në majën e pushtetit shtetëror dhe, disa vite më vonë, të përfundojë i dënuar pikërisht për mënyrën se si e ka përdorur atë pushtet.
3. ILIR BEQAJ, nga specialist informatike te ministër dhe drejtues institucionesh
I di ndonjëri prej jush ndonjë arritje si informaticien Ilir Beqajt? (As unë)
Në vitet e para të karrierës punoi në Bankën e Shqipërisë dhe më pas në Institutin e Sigurimeve Shoqërore (dy institucione me shumë po shumë para thuhet në gjuhën e rrugës së këtyre pozit-lartëve shtetëror), ku nga 2003 deri më 2006 ishte drejtor i përgjithshëm.
Në vitin 2007 u bë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste. U zgjodh deputet dhe në vitin 2013 u bë ministër i Shëndetësisë në qeverinë Rama.
Më pas karriera e tij vazhdoi në administratë, përfshirë drejtimin e SASPAC.
Këtu ndahet Ilir Beqaj me jetën aktive publike dhe nis përballja me drejtësinë. Hetimet për çështjen e sterilizimit dhe për abuzime të dyshuara me fondet e BE-së në SASPAC. Në vitin 2024 u arrestua në kuadër të procedimeve të SPAK (së fundmi doli në arrest shtëpie pas 25 muajsh paraburgim sepse përfunduan afatet procedurale para se ti përfundonte gjykimi).
Po ju duken fatzinj ëëëë? Prisni, nuk kemi mbaruar!
4. ALQI BLLAKO, nga administrata te politika dhe më pas te burgu. Askush nuk e njihte (do thoni se diku do nisë njohja për dikë se nuk lindim të njohur! Po, e drejtë)
Alqi Bllako kishte formim në financë dhe kontabilitet, si dhe tregje financiare. Në vitin 2013 u bë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, në kohën kur ministër ishte Lefter Koka. Më pas kaloi në Presidencë si sekretar i përgjithshëm, përpara se të merrte drejtimin e Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe më pas të kandidonte për deputet me PS. Pra rresht, pa ndërprerje, shumë lart, kaq i ri. Çudi e madhe!
Por famën nuk ia dhanë këto poste, por një emërtesë irrituese “Inceneratorët”
Nuk po ndalemi në histori gjyqësore për këtë rast sepse bëhemi të lodhshëm, se janë një paçavure e vërtetë me prishje e ndreqje vendimesh ku ende si ka mbaruar.
Shembull i pastër transformimi dhe formimi:
ADMINISTRATOR – SEKRETAR I PËRGJITHSHËM – DEPUTET – I DËNUAR PËR KORRUPSION.
Dua t’ju ngacmoj tani me pyetjen e hidhur që kisha në mendje kur nisa të shkruaj këtë analizë: çfarë vlente më shumë, karriera profesionale që mund të kishte ndërtuar, apo rruga e shpejtë drejt pushtetit?
5. MIRLINDA KARÇANAJ, nga programuese te një prej grave më të fuqishme të administratës (pa shpi e katandi, pa patentë shofereje)
Ndryshe nga disa prej emrave të mësipërm, Karçanaj kishte një profil të mirëfilltë profesional përpara se të arrinte aty ku ndodhej.
Sipas profilit të publikuar nga UNIDIR, ajo ka formim universitar dhe doktoraturë në Universitetin e Tiranës, ka punuar si programuese, menaxhere databazash dhe specialiste IT, ka punuar në Kanada dhe, pas kthimit në Shqipëri, u bë drejtore e IT-së në Bashkinë e Tiranës. Më pas mori drejtimin e AKSHI-t dhe qëndroi aty për më shumë se një dekadë. (UNIDIR Building a more secure ëorld. (informacion i huazuar online ky më sipër për Karçanajn)
Pra, ajo nuk ishte “askush” profesionalisht. Karrçanaj nuk kapi pushtetin, pushteti e kapi atë, ose thënë ndryshe ‘kapje e karrierës profesionale nga pushteti politik’. A hyn në mes lakmia? Mbase!
AKSHI mori shumë frerë duke u përkëdhelur në majën e pushtetit, ndërsa Karçanaj u bë një nga drejtueset më jetëgjata të administratës së kësaj periudhe.
Në dosjen që përmendëm më sipër për Agasin, ajo është e bashkëpandehur për grup të strukturuar kriminal dhe në masë detyrim paraqitje pasi doli nga arresti i shtëpisë
A ia vlejti një karrierë profesionale reale të kthehej në një karrierë të lidhur me pushtetin, kur në fund emri profesional lidhet me një dosje penale?
Disa përgjigje do ti japim në fund, sepse po e nxehim pak situatën më poshtë.
6. BELINDA BALLUKU, nga menaxhere dhe teknokrate te numri dy i qeverisë, kështu na e sugjeron CV-ja zyrtare e saj, por në fakti ishte thjesht një vajzë që sillej nëpër redaksi televizive arshiviste thonë ca, sekretare ca të tjerë.
Diçka ndodhi dhe mund të jetë totalisht personale, për ta parë pas disa vitesh duke kaluar përmes një karriere profesionale në administrim, aviacion, telekomunikacion dhe menaxhim përpara se të hynte në politikë. “Ka punuar në struktura të Albcontrol dhe Telekom Albania dhe në vitin 2004 iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si këshilltare për marrëdhëniet me publikun dhe më pas si drejtore e kabinetit të kryetarit të Bashkisë. Në vitin 2006 iu bashkua zyrtarisht Partisë Socialiste”. (Wikipedia)
Në vitin 2019 u bë ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në vitin 2022 zv.kryeministre. Pra, nga-në…
Balluku arriti deri aty sa gojët e liga nëpër Tiranë thonë se ka në xhep Ramën.
Këtu ka një ndryshim nga të tjerët. Ata e lanë mandatin, e lanë punën, i lanë tenderat, ca u arrestuan e ca u arratisen. Balluku nuk la asgjë kur në vitin 2025 SPAK e akuzoi në lidhje me manipulimin e procedurave të prokurimit për projekte infrastrukturore. GJKKO vendosi pezullimin e saj nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, Gjykata Kushtetuese nuk arriti shumicën e nevojshme për të rrëzuar masën, ndërsa Kuvendi e rrëzoi kërkesën e SPAK për ta arrestuar. Mund t’ju shkojë mendja te erion Veliaj që fitoi mbajtjen e vendit të punës, por ndryshon “shtrëngimi”, ai ndodhet prapa hekurave prej shkurtit 2025. Pra Balluku sikur thotë se “Jam këtu, në këmbë dhe e fortë”, aq sa segmente të caktuara thonë se ishte ajo që e rrëzoi zv.kryeministrin paralel, Ergys Agasin.
Në shkurt 2026, Balluku u largua nga qeveria, Albana Koçiu mori postin e zv.kryeministres dhe Enea Karakaçi postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë (la disa funksione u tha, por mori gjysmën e kabinetit me të rriturit prej saj)
Ka një kontrast të jashtëzakonshëm:
Askush – një karrierë profesionale e mirë – pushtet shumë i madh – hetim penal – largim nga qeveria.
Ecim……
7. ERION VELIAJ, do citoj vetë atë, nga shitja e fiqve, aktivizmi qytetar te kryetari i Tiranës
Ndryshon nga të gjithë. Punoi me organizata humanitare në disa vende. Në vitin 2003 themeloi lëvizjen ‘MJAFT’, e cila u bë një prej organizatave më të njohura të shoqërisë civile shqiptare dhe mori një çmim të OKB-së për shoqërinë civile në vitin 2004. Më pas kaloi në politikë, iu bashkua PS-së në vitin 2011, u bë deputet, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe në vitin 2015 kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai u rizgjodh në 2019 dhe 2023 (pra shkurt e troç, si tha kurrë kush a u lodhe, degë më degë e shoqatë në shoqatë)
Në shkurt 2025 u arrestua nga SPAK në një hetim për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas akuzave të SPAK, ai përballet me 13 akuza. Sot ai vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që procesi penal vazhdon.
Njeriu që u bë i njohur duke protestuar kundër politikës tradicionale përfundoi në majën e politikës institucionale dhe sot përballet me drejtësinë pikërisht për mënyrën se si është ushtruar pushteti ose ose, për brrylat e pushtetit.
Çfarë i bashkon këto emra realisht? Tani po ju flas për zinxhirin
Cili është mekanizmi i prodhimit të elitës, që i kanë shkaktuar qejfe e dhimbje vetes, e që qytetari ka qenë në plan të tretë?
Një njeri hyn në politikë, merr një post; posti i jep akses; aksesi krijon lidhje; lidhjet krijojnë ndikim, ndikimi krijon mundësi ekonomike dhe politike; mundësitë krijojnë varësi; varësia prodhon besnikëri; besnikëria mbron sistemin dhe sistemi prodhon njerëz të rinj.
Ky është zinxhiri.
Dhe zinxhiri nuk ka nevojë që çdo hallkë të jetë njësoj e korruptuar. Mjafton që hallkat të jenë të varura nga njëra-tjetra. Kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë vetëm luftë kundër individëve. Sepse nëse heq një individ dhe lë mekanizmin, sistemi prodhon menjëherë një tjetër
Imagjino një qytetar shqiptar 25 apo 30 vjeç.
Mund të ishte çfarëdo në profesion. Një njeri krejt normal. Mund të kishte një shtëpi normale, një profesion normal, miq normalë dhe një jetë larg kamerave.
Pastaj vjen oferta, një post, njohje, parti, ministri, tender, institucion, kryetar, lider, rrjet. Dhe papritur jeta ndryshon dhe vijnë ‘të mirat’, makina, zyra, pushteti,, siguria që të jep posti, paratë ose mundësitë që sjell pushteti, njohja, ndikimi.
Por bashkë me to vjen edhe një faturë që është hetimi, paraburgimi, burgu, sekuestrimi i pasurisë, familja…. Dhe mbi të gjitha, emri i tij nuk lidhet më me atë që ishe përpara, por me atë që bëre kur pate pushtet. A do të ishte më mirë për këta njerëz të kishin mbetur thjesht qytetarë të zakonshëm?
Ndoshta disa prej tyre do të kishin fituar më pak para, nuk do t’i njihte askush, nuk do të kishin makina, vila, poste, ndikim dhe pushtet. Por ndoshta do të kishin diçka që pushteti nuk ta blen dot, një jetë pa frikën se një ditë do të trokasë SPAK-u në derë. Dhe kjo është ironia e madhe e historisë së tyre, ata fituan shumë më tepër se qytetari i zakonshëm, por rrezikuan të humbin shumë më tepër se qytetari i zakonshëm. Nëse këta njerëz janë produkt i sistemit, atëherë nuk mjafton të presim që drejtësia t’i dënojë.
Sepse pas tyre do të vijnë të tjerë. Dhe zinxhiri vazhdon. Prandaj pyetja nuk duhet të jetë vetëm: “Kush do të arrestohet?” Duhet të jetë: “Si të bëjmë që nesër askush të mos ketë më interes të bëhet hallkë e këtij zinxhiri?”
Si prishet zinxhiri? Nga memet në rrjetet sociale te dokumenti. Një qytetar nuk duhet të jetë spektator. Në çdo bashki, ministri apo institucion ekziston mundësia për të kërkuar informacion, për të kundërshtuar procedura dhe për të raportuar shkelje. Jo 100 mijë njerëz që bërtasin në Facebook. 10 njerëz që lexojnë dokumentet mund të jenë më të rrezikshëm për korrupsionin se 100 mijë meme dhe kjo mund të jetë një strategji që do ti shërbente edhe opozitës.
Një sistem i korruptuar ka frikë nga dokumenti që publikohet, jo nga sharja. Duhet mbështetur financiarisht dhe publikisht gazetaria që merret hetimin e këtyre abuzimeve edhe kur bëhen nga vetë drejtësia.
Një politikan nuk duhet të ketë vetëm frikë nga SPAK-u. Duhet të ketë frikë edhe nga votuesi. Nëse një parti mbron një zyrtar të dyshuar, qytetari duhet ta mbajë mend. Kujtesa elektorale është një nga armët më të forta kundër pandëshkueshmërisë.
Mos prisni heronjtë. Ndoshta gabimi ynë më i madh është se presim gjithmonë dikë tjetër. SPAK-un., gazetarët, opozitën, amerikanët, evropianët, një lider të ri. Por një sistem korruptiv bëhet i fortë pikërisht kur qytetari bindet se ndryshimin duhet ta bëjë dikush tjetër.
Këta shtatë njerëz që i veshi dhe i zhveshi politika që listuam më sipër, pavarësisht dallimeve të tyre dhe pavarësisht statusit juridik të secilit, na tregojnë se pushteti mund ta ndryshojë dramatikisht jetën e një individi. Por edhe individi mund ta ndryshojë një sistem, nëse nuk pranon të bëhet pjesë e tij. Alternativa është të ndryshojmë rregullat që prodhojnë të njëjtin rezultat. Dhe mbi të gjitha, një qytetar që nuk e sheh më korrupsionin si spektakël. Sepse ndryshimi nuk fillon kur arrestohet hallka e fundit por kur askush nuk pranon më të bëhet hallka tjetër.
Po e mbyll me një bilanc timin, 7 personazhet që soll, sot janë në papajtueshmëri me ligjin, por a janë më rehat se kur ishin të panjohur apo tani? E di që shumica prej jush mendoni se “për aq para e pasuri do bëja edhe unë burgun e tyre”. Pra ndaj nuk duhet të jemi spektator, ndaj duhet të kritikojmë dhe kërkojmë zgjidhje, sepse edhe arresti, edhe sekuestro, edhe pamjet e fotot e arrestimeve, s’janë veçse ose spektakël kundërshtarësh për dominim ose spektakël drejtësie për të justifikuar vetveten.
Reago, fejzbuku nuk mjafton!
