Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrja e zjarrfikësve të bashkisë në operacionin për shuarjen e zjarreve në Krujë, duke e cilësuar angazhimin e tyre si një akt heroik.
Dhe në fakt, përballja me flakët në terrene të rrezikshme kërkon kurajë dhe sakrificë. Por pikërisht pamjet e publikuara nga vetë kryebashkiaku ngrenë një tjetër pikëpyetje: me çfarë pajisjesh po përballen zjarrfikësit me zjarrin?
Në video, disa prej efektivëve shfaqen duke ndërhyrë në zonën e përfshirë nga flakët pa kaska mbrojtëse, pa uniforma të posaçme kundër zjarrit dhe pa pajisje të dukshme termoizoluese. Disa prej tyre duken me veshje të zakonshme, ndërsa përballen drejtpërdrejt me temperaturat e larta dhe tymin.
Pamjet e bëjnë edhe më të fortë kontrastin mes mesazhit të kryebashkiakut, i cili i cilëson zjarrfikësit “heronj”, dhe kushteve në të cilat ata duket se janë detyruar të kryejnë detyrën.
