GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën ‘arrest me burg’ ndaj Ergys Agasit të arrestuar më 26 gusht pas 8 muajsh në arrati. Vetë biznesmeni ishte i pranishëm në gjykatë. Seanca e cila nisi në orën 09:00, u ndërpre dy herë. Pak pas fillimit të seancës avokati i Agasit, Maks Haxhia kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen hetimore dhe trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës.
Por edhe pas rinisjes në orën 12:00 seanca u ndërpre sërish. Shkak u bë fjala e gjatë e avokatit Maks Haxhia, paraqiti para trupit gjykues argumentet e mbrojtjes së Agasit. Ndërkohë prokurori i posaçëm Bledar Maksuti ka kërkuar që masa “arrest në burg” të mbetet në fuqi, duke arsyetuar se ekziston rrezik i lartë që i dyshuari t’i fshihet drejtësisë, nisur nga fakti se ka qëndruar në arrati për tetë muaj me radhë. SPAK ka paraqitur edhe një akuzë të re ndaj Agasit atë të korrupsionit pasiv.
Ogani i akuzës ka deklaruar se disponon prova që mbështesin akuzat ndaj biznesmenit për pastrim parash dhe ndikim në tendera. Nga ana tjetër, avokati i Agasit, Maks Haxhia, ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, duke argumentuar se nuk ka prova konkrete që e lidhin klientin e tij me veprat penale për të cilat akuzohet.
