Një përkim domethënës ndodhi këtë 26 gusht, në ditën kur ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, feston ditëlindjen.
Pikërisht sot, 5 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar nga Siria dhe kanë mbërritur në Shqipëri. Mes tyre janë dy gra dhe tre fëmijë, të cilët u kthyen pas një procesi të gjatë të koordinuar mes institucioneve shqiptare dhe autoriteteve të përfshira.
Ky zhvillim merr një tjetër simbolikë për shkak të rolit që Gledis Nano ka pasur ndër vite në çështjen e shqiptarëve të mbetur në kampet e Sirisë.
Para se të drejtonte Policinë e Shtetit, Nano ka qenë pjesë e strukturave të Antiterrorit dhe është angazhuar drejtpërdrejt në çështjen e riatdhesimit të grave dhe fëmijëve shqiptarë nga kampi Al-Hol.
Sot Nano nuk është më në krye të Policisë së Shtetit. Por në ditën e tij të lindjes, një tjetër grup shqiptarësh largohet nga kampet e Sirisë dhe rikthehet në atdhe.
Në një farë mënyre, 5 shqiptarët e kthyer sot mund të konsiderohen si një “dhuratë” simbolike e ditëlindjes për Gledis Nanon, për shkak të lidhjes së tij me misionet e riatdhesimit nga Siria.
Pesë të riatdhesuarit do t’i nënshtrohen procedurave të kontrollit dhe vlerësimit, ndërsa më pas do të vijojë procesi i akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.
