Sokol Hoxha, i dënuar nga gjykatat shqiptare për vrasjen e dy vëllezërve në Patos dhe i kërkuar edhe nga autoritetet belge për një tjetër vrasje, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë.
51-vjeçari mbërriti mëngjesin e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pas procedurës së ekstradimit të realizuar nga autoritetet amerikane me një fluturim charter.
Në Shqipëri, Hoxha është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj, ngjarje e ndodhur në Patos në mars të vitit 1997. Ndërkohë, ai kërkohet edhe nga Belgjika, ku është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit.
Pas arrestimit të tij në SHBA, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimin me homologët belgë për mundësinë e transferimit në Shqipëri edhe të dënimit të dhënë nga drejtësia belge.
Hoxha ishte në arrati prej rreth 30 vitesh. Sipas hetimeve, pas vrasjes së dyfishtë në Shqipëri ai u largua fillimisht në Greqi dhe më pas në Belgjikë, ku u përfshi në një tjetër çështje penale.
Sipas autoriteteve belge, ai u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit. Hetimet e zhvilluara në atë kohë e lidhnin ngjarjen me aktivitetin e prostitucionit, ndërsa motivi i krimit, sipas dosjes hetimore, kishte të bënte me refuzimin e viktimës për t’iu bindur kërkesave të tij.
Më pas, sipas hetimeve, Hoxha u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur dokumente të falsifikuara, përpara se të emigronte në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 2000, ku jetoi për vite me një identitet të rremë
Autoritetet shqiptare paraqitën kërkesën për ekstradimin e tij në vitin 2019. Hetimet në SHBA u intensifikuan në vitin 2021, ndërsa identiteti i tij u konfirmua përmes krahasimit të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografive.
Hoxha u arrestua më 5 maj të këtij viti në shtetin e Ohajos. Pas përfundimit të procedurave ligjore, autoritetet amerikane vendosën ekstradimin e tij në Shqipëri
