Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës orët e para të mëngjesit, ku hoteli “Brooklyn” në Lungomare është përfshirë nga flakët.
Si pasojë e kësj janë plagosur shtatë persona. Fillimisht ata kanë marrë ndihmën e parë në ambientet e Spitalit të Vlorës, ndërsa pesë prej tyre janë dërguar drejt Tiranës për të marrë ndihmë më të specializuar mjeksore.
Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj tha gjatë një prononcimi për mediat se dy persona janë nisur drejt Traumës, tre në departamentin e djegieve në QSUT, ndërsa njëri prej të dëmtuarve po trajtohet në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Vlorës.
Më tej, ai shtoi se në gjendje të rëndë shëndetësore është një vajzë, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit. Një nga pushuesit nga Kosova i cili ka mbetur i plagosur ka rrëfyer disa momente nga ngjarja. Nga barela ku ndodhet në spital, ai tha se ka qenë ora 4 e mëngjesit kur kanë vënë re tymin dhe për t’i shpëtuar flakëve është hedhur nga ballkoni.
Ndërsa, një pushues nga Polonia ka treguar momentin kur e kanë kuptuar që në hotelin, ku po qëndroni kishte rënë zjarr. Gjatë një prononcimi për mediat, pushuesi u shpreh se nuhatën diçka të çuditshme gjatë natës dhe dëgjuan të bërtitura.
Më tej, ai shtoi se për t’i shpëtuar flakëve, është hedhur nga dritarja dhe kanë thirrur për ndihmë. Sipas informacioneve paraprake, gjashtë prej të dëmtuarve janë shqiptarë të Kosovës, ndërsa një tjetër është nga Rrësheni.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të mësuar më shumë mbi shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.
