Mirënjohëse për punën e bërë në kapjen e personit që i mori çantën, kjo turiste gjermane vendosi që t’i falënderonte personalisht efektivët e policisë në Tiranë. Siç shihet në videon e publikuar nga vetë policia, gruaja shkoi me ëmbëlsira me vete në Komisariatin nr. 1 në kryeqytet dhe vlerësoi shpejtësinë në kapjen e autorit dhe mbi të gjitha faktin që autoritetet mundën t’i kthenin asaj të gjitha sendet personale që hajduti i kishte marrë.
Turistja 50-vjeçare ra pre e grabitësit të martën, teksa ndodhej në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë. Siç sqaron policia, autori i dyshuar ia vodhi çantën me dhunë duke e kërcënuar madje edhe me thikë.
“Një ditë pasi iu vodh me dhunë çanta me sende personale, nën kërcënimin e thikës, te Liqeni Artificial, shtetasja gjermane T. K., 50 vjeçe, është paraqitur pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, për të falënderuar efektivët që u angazhuan për zbardhjen e rastit. Duke vlerësuar reagimin e shpejtë të Policisë, identifikimin dhe arrestimin në kohë rekord të autorit të dyshuar, si dhe gjetjen e sendeve të saj personale, shtetasja gjermane ka shprehur mirënjohjen e saj për punën dhe profesionalizmin e efektivëve të Policisë së Komisariatit Nr. 1”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Menjëherë pasi sapo morën njoftimin për vjedhjen në fjalë, efektivët e policisë arritën jo vetëm ta identifikonin, por edhe ta arrestonin autorin e dyshuar, në një kohë fare të shkurtër.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas marrjes së njoftimit për vjedhjen me dhunë, organizuan operacionin policor të koduar ‘Reaction’. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit J. S., 41 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se i ka vjedhur me dhunë çantën me sende personale shtetases gjermane, duke e kanosur me thikë. Sendet e vjedhura janë gjetur dhe i janë dorëzuar 50-vjeçares”, thotë policia në njoftim.
