Një zjarr i fuqishëm, i shoqëruar me disa shpërthime, ka përfshirë një fabrikë të madhe municionesh në Colleferro, në jug të Romës, raportojnë mediat italiane.
Ngjarja ka ndodhur në ish-uzinën Simmel Difesa, aktualisht në pronësi të KNDS Ammo Italy, kompani e specializuar në prodhimin e municioneve të kalibrave të mesëm dhe të mëdhenj për sistemet e mbrojtjes tokësore dhe detare, si dhe të lëndëve djegëse të ngurta për raketa hapësinore.
Sipas raportimeve, zjarri dhe shpërthimet kanë nisur në repartin ku përpunohet baruti. Në vendngjarje janë dërguar disa ekipe zjarrfikëse, të cilat deri më tani nuk kanë mundur të ndërhyjnë drejtpërdrejt për shkak të rrezikut të shpërthimeve të tjera.
Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare për viktima apo persona të plagosur. Gjithashtu, ende nuk dihen shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin dhe shpërthimet në uzinë.
Autoritetet italiane vijojnë ndërhyrjen në zonë, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e plota të incidentit.
