Biznesmeni Xhevit Hysenaj ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetet sociale, ku shpreh zhgënjimin e tij për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar aktiviteti që zhvillon prej 35 vitesh në sektorin e përpunimit dhe eksportit të bimëve mjekësore.
Hysenaj shkruan se, pavarësisht një aktiviteti shumëvjeçar me eksporte drejt vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së, Australisë, Kanadasë dhe Indisë, sot ndodhet përballë një reflektimi të thellë: “A mos vallë kam gabuar që kam qëndruar dhe investuar në Shqipëri?”
Në postimin e tij, ai rendit një sërë rastesh që, sipas tij, janë keqinterpretuar nga portale mediatike dhe institucione. Hysenaj thotë se grumbullimi i bimëve mjekësore është etiketuar si grumbullim droge, marrja e lejeve për vjeljen e bimëve natyrore është paraqitur si përfitim i tokave shtetërore me qira simbolike, ndërsa përpunimi i mbetjeve të bimëve në esenca për eksport është konsideruar si prodhim droge.
Ai shton se eksportet e kompanisë së tij kryhen sipas kontratave ndërkombëtare dhe se kontejnerët vulosen që në fabrikë, duke hedhur poshtë çdo pretendim për manipulime apo aktivitete të paligjshme. Gjithashtu, Hysenaj shprehet se edhe marrëdhëniet shoqërore të djalit të tij janë interpretuar padrejtësisht si lidhje biznesi.
Në fund të reagimit, biznesmeni thekson se gjatë 35 viteve të aktivitetit të tij nuk ka shkelur ligjin shqiptar apo atë ndërkombëtar dhe nënvizon se biznesi i tij punëson rreth 300 familje në bujqësi. Ai e mbyll mesazhin me pyetjen nëse në Shqipëri po dëmtohet çdo histori suksesi dhe çdo imazh pozitiv që ndërtohet me punë.
