Policia e Tiranës ka zhvilluar një aksion të gjerë kontrollesh në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit, me fokus goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e parametrave të sigurisë.
Operacioni u realizua nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, duke u përqendruar te armëmbajtja pa leje, posedimi i lëndëve narkotike, kapja e personave me precedentë kriminalë, si dhe kontrolli i automjeteve luksoze, mjeteve të blinduara dhe atyre me xhama të errësuar apo modifikime të paligjshme.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve janë verifikuar 61 automjete luksoze dhe 82 shtetas me precedentë kriminalë. Ndërkohë, 11 automjeteve luksoze u janë hequr xhamat e errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa në total janë konstatuar dhe hequr 61 xhama të errësuar, përfshirë edhe në xhamin e përparmë.
Gjithashtu, 5 automjete janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme, mes tyre edhe një mjet i blinduar.
Gjatë operacionit janë shoqëruar edhe 6 shtetas, pasi u janë gjetur lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli dhe shkopinj metalikë, ndërsa një prej tyre drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Policia bën të ditur se kontrollet intensive do të vijojnë pa ndërprerje, duke paralajmëruar tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me synim garantimin e rendit dhe rritjen e sigurisë publike.
