Vendimi i Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” të Drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, shënon një ngjarje të paprecedentë në historinë e institucioneve të sigurisë në Shqipëri dhe një rast tejet të rrallë në rrafshin ndërkombëtar.
Në analet e shërbimeve sekrete ndërkombëtare, përplasjet mes agjencive ligjzbatuese dhe krerëve të spiunazhit nuk janë të panjohura. Megjithatë, pothuajse në çdo rast të ngjashëm në botë, drejtësia ka vepruar pasi zyrtarët kishin lënë postin, kishin dhënë dorëheqjen ose ishin shkarkuar paraprakisht nga autoritetet politike.
Caktimi i një mase kufizuese lirie drejtpërdrejt ndaj një drejtueseje aktive në krye të shërbimit kryesor sekret nuk ka asnjë paralele në botë.
David Petraeus (CIA – SHBA): Kur Byroja Federale e Hetimit (FBI) zbuloi se drejtori i CIA-s, David Petraeus, kishte ndarë materiale shumë të klasifikuara me autoren e biografisë së tij, ai dha dorëheqjen menjëherë në nëntor të vitit 2012. Procedurat penale, marrëveshja e pranimit të fajësisë dhe dënimi me kusht erdhën vite më vonë, në vitin 2015, kur ai ishte tërësisht një qytetar privat dhe larg çdo funksioni operativ.
Bernard Squarcini (DCRI – Francë): Drejtësia trokiti pas largimit në sektorin privat.
I njohur si “Squali”, ish-shefi i inteligjencës së brendshme franceze gjatë presidencës së Nicolas Sarkozy-t, u vu nën hetim dhe u mor i pandehur për trafik ndikimi dhe përdorim të burimeve shtetërore në dobi të korporatave private. Mirëpo, të gjitha procedurat ndaj tij u iniciuan disa vite pasi ai ishte shkarkuar nga detyra dhe ushtronte konsulencë private.
Genaro García Luna (AFI – Meksikë): Kreu i Agjencisë Federale të Hetimit (AFI) në Meksikë dhe më pas arkitekti i sigurisë meksikane u arrestua nga autoritetet amerikane në vitin 2019 për bashkëpunim me kartelin e Sinaloas. Hetimi dhe arrestimi i tij ndodhën gati një dekadë pasi ai kishte përfunduar mandatin qeveritar dhe jetonte jashtë vendit.
Nicolò Pollari (SISMI – Itali): Në skandalin e rrëmbimit klandestin të imamit Abu Omar nga agjentët e CIA-s në Milano, drejtori i shërbimit ushtarak italian, Nicolò Pollari, u vu nën lupën e magjistratëve milanezë. Para se procesi gjyqësor të merrte hov dhe të diskutohej fati i tij ligjor, qeveria italiane e liroi atë menjëherë nga drejtimi i SISMI-t, për të shmangur ngërçin e sekretit shtetëror në detyrë.
Karim Massimov (KNB – Kazakistan): Edhe në regjime më autoritare, si në rastin e Kazakistanit gjatë trazirave të janarit 2022, kryetari i komitetit të sigurisë Massimov u shkarkua zyrtarisht nga presidenti para se të deklarohej ndalimi i tij për tradhti të lartë shtetërore.
Rasti i Vlora Hysenit përbën një precedent unik. Ajo bëhet shefja e parë e një shërbimi inteligjence që akuzohet teksa është në detyrë për lidhje me krimin, për mbrojtje të një krimineli.
Hyseni, mesa duket, nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen. As Edi Rama deri tani nuk e ka shkarkuar. Hyseni është jashtë shtetit, por me siguri që drejtorja e SHISH do ta ketë marrë informacionin se ajo është nën hetim për Agasin dhe se GJKKO e ka vënë në arrest shtëpie. Mosreagimi i tyre do të shënojë një tjetër precendent botëror.
