Vënia në arrest shtëpie dhe pezullimi nga detyra i drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, përbën ngjarjen më të rëndë institucionale në historinë e Shqipërisë.
Kreu i inteligjencës kombëtare, njeriu që ka në dorë sekretet më sensitive të shtetit, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të luftës kundër krimit të organizuar, akuzohet zyrtarisht nga SPAK për përkrahje të një njeriu në kërkim dhe për dekonspirim. Në çdo vend me funksionim normal demokratik, një goditje e tillë do të pasohej brenda pak minutash me vendim për shkarkim dhe me një deklaratë distancuese nga kreu i qeverisë.
Por nga zyra e kryeministri Edi Rama ka një heshtje shurdhuese. Asnjë reagim!
Përgjigjja e parë se përse Rama nuk e ka shkarkuar ende Hysenin fshihet te pesha politike e zgjedhjes së saj. Vlora Hyseni nuk ishte një zyrtare e karrierës, por një zgjedhje personale personale e Edi Ramës. Ai e mbrojti atë pavarësisht debateve dhe dyshimeve të forta shoqëruan largimin e saj nga strukturat e inteligjencës në Kosovë. Shkarkimi i saj i menjëhershëm mund të shihej si pranim i një gabimi, por mbrojtja e saj edhe pasi SPAK e ka vënë në arrest shtëpie është gabim edhe më i rëndë.
Përgjigjja e dytë dhe më e rënda lidhet me vetë thelbin e dosjes, me fijet që çojnë te Ergys Agasi. Nëse Hyseni e ka vënë zyrën e saj në shërbim të mbrojtjes dhe fshehjes së Agasit, a kishte dijeni Edi Rama për këtë? A veproi ajo me kokën e saj, apo mbrojtja që i ofroi SHISH Agasit ishte pjesë e një koordinimi më të gjerë për të garantuar paprekshmërinë e njeriut të konsideruar si ndërlidhës i kryeministrit me grupet kriminale?
Rama mund të përdorë të njëjtën strategji që përdori me drejtoreshën e AKSHI, edhe ajo pjesë e strukturës së Agasit. Por kësaj here, manovrat e tij do të jenë më të vështira.
Duke mos e shkarkuar Vlora Hysenin, Edi Rama vetëm sa do ta kompromentojë edhe më shumë veten e tij dhe do të shtojë dyshimet se Agasi ishte vetë sistemi që ai ka ngritur, nga SHISH, te policia e shtetit, në Hipoteka, AZHT, KKT e kudo tjetër.
