Një konflikt i hershëm mes dy të rinjve në Shkodër dyshohet se ka përfunduar në një tentativë vrasjeje me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 11 tetorit, në ambientet e një kalçetoje, ku 25-vjeçari Klaus Fermosi dyshohet se ka tentuar të qëllojë me pistoletë 26-vjeçarin Jozefin Ujka.
Sipas të dhënave paraprake, Fermosi ka hyrë në ambientet e fushës sportive dhe i ka drejtuar armën Ujkës, me qëllim për ta qëlluar. Megjithatë, pistoleta nuk ka shkrepur dhe tentativa e dyshuar për vrasje nuk është realizuar.
Në momentin e ngjarjes, në kalçeto ndodheshin edhe persona të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë larguar 25-vjeçarin nga vendi i ngjarjes.
Pas incidentit, Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Klaus Fermosin, i dyshuar për tentativën e vrasjes me armë zjarri. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Konflikti dyshohet se nisi pesë vite më parë për një vajzë
Sipas të dhënave paraprake, dy të rinjtë kanë qenë më herët shokë të afërt, por marrëdhënia mes tyre është prishur rreth pesë vite më parë, për shkak të një konflikti që lidhej me një vajzë.
Në atë kohë, përplasja mes tyre dyshohet se u zgjidh pas ndërhyrjes së familjeve. Megjithatë, marrëdhëniet nuk janë normalizuar përfundimisht dhe, rreth një vit më parë, konflikti dyshohet se është rindezur.
Përplasja e vjetër dyshohet se ka kulmuar mbrëmjen e 11 tetorit, kur 25-vjeçari ka shkuar në kalçeto dhe ka tentuar të qëllojë me armë zjarri 26-vjeçarin Ujka.
Ngjarja ka vënë në rrezik edhe personat e tjerë që ndodheshin në ambientet sportive në momentin e incidentit.
Policia e Shkodrës vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e motiveve, ndërsa Klaus Fermosi mbetet në kërkim.
