Pas incidentit të regjistruar në SHBA, ku kryeministri Edi Rama u përball me një grup aktivistësh shqiptarë, një tjetër përplasje verbale është filmuar në ambientet e hotelit luksoz ku po qëndron delegacioni shqiptar.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, një shqiptar i drejtohet kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, si dhe ish-ministrit Ervin Bushati, duke i kritikuar për akomodimin në hotel.
“Zoti Bushati, këtu është zoti Rama, tek ky hotel”, i drejtohet ai, duke shtuar: “Nuk keni turp, s’keni turp. Nuk keni turp zoti Bushati”, ndërsa ky i fundit nuk i përgjigjet.
Aktivisti më pas ndjek Taulant Ballën, i cili largohet për t’u futur brenda ambienteve të hotelit.
“Zoti Taulant, s’keni turp, 15 mijë dollarë nata”,- i drejtohet shqiptari.
Ngjarja vjen në vijim të tensioneve të regjistruara gjatë qëndrimit të Ramës në Shtetet e Bashkuara, ku kryeministri ndodhet për aktivitetet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Më herët, në një tjetër video të publikuar nga protesta, Rama u përball me thirrje dhe akuza nga aktivistë shqiptarë, ndërsa pamjet treguan edhe hedhjen e vezëve në drejtim të tij.
